Prokuroria thërret zyrtarët e PD për audio-përgjimin

Prokuroria ka thirrur për të marrë në pyetje tre zyrtarët e Partisë Demokratike. Deputetët Enkelejd Alibeaj, Edvin Salijani dhe ish-ministrin Gazmend Bardhi do të paraqiten nesër në orën 10:30 në Prokurori për të dhënë sqarime në lidhje me autenticitetin e audio-përgjimit të publikuar për vëllain e Ministrit të Brendshëm.

Tre zyrtarët e PD-së kanë bërë denoncime gjatë javëve të fundit për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe vëllanë e tij, Agron Xhafaj. Sipas PD-së ministri Xhafaj ka mbrojtur vëllanë e tij për të mos e dorëzuar te autoritetet italiane, ku rezulton i dënuar në vitin 2012. PD shkoi edhe më tej në akuzat e saj duke publikuar një audio-përgjim ku pretendohet se Agron Xhafaj vijon të merret me trafik droge.

Sot Agron Xhafaj u vetëdorëzua te autoritetet italiane për tu përballur me vendimin e gjykatës. Ndërkohë, vëllai i ministrit ka bërë një padi në Prokurorinë e Tiranës ku deklaron se përgjimi i publikuar nga PD është i manipuluar. Ai thotë se nuk është zëri i tij në audio-përgjim dhe nuk ka asnjë lidhje me bisedën e publikuar nga PD. Audio-përgjimi është siguruar nga deputeti Edvin Salijani, i cili deri më sot nuk ka dhënë detaje se si e ka siguruar dhe kush është autori i saj.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot zhvillime të reja lidhur me këtë audio-përgjim. Në mbledhjen e grupit të PS-së ai deklaroi se materiali është analizuar nga një kompani ndërkombëtare dhe ka rezultuar se kemi të bëjmë me një falsifikim të rëndë. Rama përmendi dhe burgun për ideatorët e këtij audio-përgjimi, sipas tij, të manipuluar.

Unë kam kërkuar nga një agjenci e specializuar ndërkombëtare ekspertizën shkencore të këtij materiale, dhe burimet e duhura zyrtare për mbledhjen e çdo informacioni të disponueshëm të agjencive përkatëse dhe partnerëve mbi çdo indicie të mundshme lidhur me vëllain e ministrit të Brendshëm. Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një ndër laboratorët më seriozë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton. Po bëj një parantezë, jo për të bërtitur montazh-montazh. Po më mjafton për t’iu thënë juve se nuk jemi përpara një akti kompromentues të ministrit të Brendshëm, por të një akti mashtrimi përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes dhe shkatërrimi i segmentit të fundit për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE. Një overdozë balte për të mbajtur të motivuar deputetë në Europë që të bien ndesh çeljes së negociatave me Shqipërinë, duke i treguar të tjerëve se çfarë hataje ka ndodhur në Shqipëri”, tha sot Edi Rama.

Nëse verifikohen pretendimet për manipulim, atëherë kemi të bëjmë me një skandal që tejkalon përmasat e një gafe politike. Manipulimi i përgjimeve përveç se dëshmon mungesën e seriozitetit të deputetëve që e paraqitën si origjinal është dhe një vepër penale.

LAJME TË TJERA PËR KËTË ARGUMENT: