Ndoka: Opozita të fokusohet tek dorëheqja e Ramës, ai është problemi kryesor

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, duke komentuar situatën politike të krijuar pas përgjimeve te vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i bën apel kolegëve të tij të opozitës që të shmangin sulmet politike individuale, por të përqendrohen tek problemi kryesor, që, sipas tij, është vetë kryeministri Edi Rama.

Në një prononcim për “Koha Jonë”, Ndoka thekson se në qendër të aksionit të saj politik duhet të jenë çështje që kanë të bëjnë me problemet që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë, ekonominë dhe integrimin e vendit në Bashkimin evropian.

Më tej, Ndoka theksoi se marrëdhënia e opozitës me Kuvendin tashmë është e kushtëzuar dhe pritet reflektimi i kryeministrit. “Është e kushtëzuar, dihen qëndrimet e opozitës. Ne i kemi treguar axhendën tonë, e kemi bërë publike dhe pritet reflektimi i kryeministrit. Ndërsa ky i fundit po tregon që nuk merakoset fare, por thjesht do që të qeverisë me metodat e tij”- u shpreh kreu i PDK-së, Nard Ndoka.

Z. Ndoka, si e shikoni aksionin më të fundit politik të opozitës lidhur me çështjen “Xhafaj”?

Opozita duhet të fokusohet në problemet që kanë të bëjnë me rendin e sigurinë, ekonominë dhe integrimin. Kemi një kryeministër që nuk reagon ndaj këtij realiteti politik, dhe kjo është kosto e madhe për qytetarët, kosto ekonomike për çdo njeri që jeton në këtë vend. Kjo mazhorancë është e mbushur me skandale ndaj dhe dështimi i këtij kryeministri është spektakolar. Ndaj për këto arsye opozita duhet të shmangë kauzat që kanë të bëjnë direkt me individë, por opozita vetë duhet ta kuptojë që këto janë probleme që lidhen direkt me qeverinë dhe kryeministrin Rama.

Çfarë nënkuptoni me “opozita duhet ta kuptojë”? Mos kemi një rast që opozita është e paqartë në aksionin e saj?

Nuk është problemi tek qartësia e opozitës, pasi ajo është në të drejtën e saj, është në mbrojtje të qytetarëve dhe po jep çdo ditë e më tepër prova të lidhjeve të dyshimta të njerëzve të qeverisë me krimin. Por ajo që këmbëngul është se opozita duhet të fokusohet tek demaskimi i kryeministrit, i cili duhet të largohet, pasi ai është problemi kryesor, është ai hallka që i mban të bllokuara të gjitha proceset në Shqipëri. Dhe në një situatë të tillë ku kemi në një pikë kulminante, opozita ka për detyrë të kërkojë urgjentisht largimin e kryeministrit dhe të kësaj mazhorance dhe fokusi i goditjes së saj të mos jenë thjesht Saimir Tahiri, apo rasti i Fatmir Xhafajt. Kemi plot skandale të tjera, dhe lidhjet e kryeministrit me to, ndaj dhe lufta tashmë është e qartë, nuk janë shpikje këto. Janë fakte që dalin çdo ditë e më tepër që e zhysin këtë mazhorancë.

/ Bisedoi: Herion Mesi