Jo vetëm Abazaj dhe Guri, ja 3 yjet e tjerë që mund të largohen nga Superiorja

Kategoria Superiore në sezonet e fundit është kthyer në një vitrinë për futbollistët për t’u transferuar në një kampionat më të fortë evropian. Shembujt e fundit janë largimi i Kristal Abazajt dhe Sindrit Gurit. Sulmuesi i Luftëtarit, i blerë në merkaton e janarit nga Skënderbeu u transferua në Belgjikë te Anderlehti për një shumë që shkon në 750 mijë euro. Pas tij erdhi dhe largimi i një nga futbollistëve më të spikatur me golat e tij në këtë sezon te ekipi modest i Ostendes po në Belgjikë, por shihet si një lëvizje për të ngjitur shkallët e karrierës në rast se arrin që të përshtat shpejt. Gjithsesi lista e largimeve nga elita e futbollit shqiptar, me siguri që nuk do të mbyllet këtu. Janë disa talente të tjerë që po kërkohen nga disa ekipe europiane.

I pari është ylli tjetëri Luftëtarit është Dejvi Bregu. Kontrata me klubin gjirokastrite mbaron në fund të sezonit. Shtatshkurtri ka firmosur me ekipin korçar, pavarësisht se nuk e ka pranuar asnjëherë marrëveshjen me Skënderbeun. Ai nuk ka të njëjtën CV si Abazaj, pasi i mungon  thirrja nga Kombëtarja A e trajnerit Kristian Panuçi, por pavarësisht kësaj ka cilësi të mira dhe të dhëna premtuese. Skenari më i mundshëm për të është largimi drejt Austrisë, aty ku disa ekipe kanë shfaqur interes për të. Bregu dëshiron të largohet që këtë verë nga Shqipëria, pasi mosha e tij po kalon. 22-vjeçari dhe nuk dëshiron të rrezikojë më shumë. Bregu ka qenë një nga talentet më premtues të Shqipërisë, pasi ka debutuar që në moshën 16-vjeçare me Flamurtarin. Problemet që pati me Flamurtarin bënë që të largohej nga ekipi i qytetit të tij, më pas kaloi te Luftëtari ku shpërthyer.

Enis Gavazaj është një tjetër emër që pritet të largohet. Në vitin 2013 ai ka debutuar me Gentin në kampionatin belg, por dëmtimet ia ndalën karrierën dhe në vitin 2016 Skënderbeu përfitoi, duke e marrë falas, sepse Genti nuk kishte kohë dhe durim për të pritur djaloshin e talentuar, por edhe të brishtë. Gavazaj ka pasur një rendiment konstant dhe ka bindur të gjithë se është gati të tentojë sërish një aventurë jashtë Shqipërie. Në Belgjikë e njohin mirë, mosha e tij është ende shumë e re dhe tashmë mesfushori është më i pjekur, për të provuar sërish veten jashtë.

Esat Mala nga Partizani është një ndër talentet më të spikatur. Pasi drejtori i të kuqve, Preiti, i thuri elozhe për mediat italiane, menjëherë pati reagime. “Tuttomercatoweb” i dedikoi një shkrim mesfushorit, duke analizuar pikat e tij më të forta. “Është një lojtar që centimetrat i zëvendëson duke lënë zemrën në fushë. I shkurtër, por me grintë. Dashuron depërtimet në fushën kundërshtare dhe në zonën e rivalëve. Sulmon hapësirat, por joshet gjithmonë edhe nga goditjet nga distanca. E dini me kë ngjason? Është ekzaktësisht si Lukas Torreira i Sampdorias. Edhe ky është një zbulim i këtij sezoni. Mund të luajë në mesfushën me 2 ose me tre. Ka shumë kualitet dhe sasi, të cilat i alternon me njëra-tjetrën për të arritur maksimumin gjatë ndeshjeve. Por është nga ata lojtarë që i pëlqen të lëvizë edhe pa top, që e bën akoma më të rëndësishëm dhe të veçantë”, shkruhet në shkrimin e portalit italian, që është shumë domethënës, pasi me shumë mundësi ai mund të nis një aventurë të re në Seria A, ose në Seria B. /Koha Jonë/