Ankesat e bizneseve/ Krijohet Sekretariati Teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Sekretariati do të jetë institucion buxhetor publik në varësi të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, me seli në mjediset e Kryeministrisë.

Referuar vendimit, Sekretariati Teknik ka si qëllim t’u mundësojë bizneseve të adresojnë shqetësimet e tyre dhe të gjejnë përkrahje në mënyrë që propozimet e tyre t’u përcillen institucioneve politikëbërëse dhe vendimmarrëse, për reduktimin e pengesave administrative me të cilat ndeshet biznesi në veprimtarinë e përditshme, të evidentuara si problematike, nëpërmjet përmirësimit të cilësisë së shërbimeve publike ndaj sipërmarrjes dhe klimës së biznesit në Shqipëri.

Sekretariati teknik do të financohet nga buxheti i shtetit dhe nga çdo burim tjetër financiar i ligjshëm ndërsa për periudhën deri në miratimin e fondeve përkatëse të buxhetit të shtetit për plotësimin me personel organik, detyrat e sekretariatit teknik do të përmbushen nga punonjës të komanduar ose të punësuar me kontratë të përkohshme.