Ah sikur të ishte Ben Blushi; ku do futej Rama, Xhafaj e Tahiri?!

Sa herë që vjen dita e enjte,  njerëz me punë e të  papunë, shtëpiake e të tjerë që rrinë gjithë ditën në kafene, kur nis e transmetohet në televizion seanca e përjavshme parlamentare, psherëtijnë gjithë përvuajtje; ah sikur të ishte aty Ben Blushi, çfarë do ti punonte Edi Ramës!

Kanë gati 1 vit që  rënkojnë për mungesën e Blushit në parlament, të tjerë që vajtojnë vdekjen e partisë së tij Libra që në lindje, e të tjerë që presin të shpërthejë dita ditës.

Kujtojnë me mall kohët, kur hipte levend dhe i vendosur në podiumin e parlamentit, kur pa letër, vështrimin e ngulur në kokërr të syrit të kamerës kryesore, me gishtin denoncues e kërcënues drejtuar nga Edi Rama; mbronte të varfrit e Shqipërisë dhe bënte fërtele me tehun e mprehtë të gjuhës, Rilindjen dhe gjithë grabitqarët e saj.

Ah sikur të ishte Ben Blushi ku do futej Edi Rama, sidomos sot që sa herë ta fusësh dorën në thesin e Rilindjes dhe qeverisë së tij, dalin hajdutë me çizme, trafikantë droge e lloj-lloj mostrash të llumit njerëzor. Ju kujtohet kur mbronte naftëtarët e shkretë me aq pathos, kur denonconte rrugët që nuk u bënë kurrë, apo për taksat…si i shkreptinin sytë kur e hidhte vështrimin dhe gishtin drejtues, drejt Ramës?! Ah çfarë kohe, që ishte…

E kështu ndërkohë që kundron vajtimi kolektiv për zhdukjen pa gjurmë të “Blushit të madh”, kujtohesh se u bënë kaq shumë kohë që ai është sistemuar në një “parlament”, edhe më të madh se ai ku aktronte çdo të enjte.

Për ata që ende nuk e dinë, Blush idealisti dhe armiku i madh i Edi Ramës së korruptuar e të futur deri në fyt në moçalin e krimit, prej kohësh është drejtor i përgjithshëm i medias më të madhe në vend, Top Channel.

E vunë aty, për ti ngritur të mbathurat që ja kishte ulur Edi Rama dhe për ti rikthyer dinjitetin e kohës së Tan Hoxhë kësaj media, që dikur ka qenë parlamenti i vërtetë ku dëgjohej zëri i popullit.

Por çfarë po bën Ben Blushi?! Jo vetëm që nuk ja ka ngritur mbathjet, por ja ka hequr fare!

Çdo ditë nën udhëheqjen e Blushit, falsifikohen lajme që i bëjnë retush, fytyrës së vërtetë të qeverisë Rama.

Çdo ditë e më shumë lëpirja ndaj kryeministrit, po kap rekorde të tilla, të cilat po bëjnë xheloz edhe vetë Shpetim Nazarkon. Vetëm javën e fundit në Top Channel, në emisionet “Top Show” dhe “Ekskluzive” kemi parë shfaqjet më të shëmtuara, të mundshme.

Edi Ramën që shtriqet dhe rrëfen, si po dizenjon kolonat e stadiumit me kullë dhe gazetarë, që nuk e fshehin lumturinë që janë përball tij. Asnjë pyetje për Tahirin, Agron e Fatmir Xhafajn, rrogat e naftëtarëve që nuk janë marrë ende, koncesionet që po bëhen kapicë vit pas viti, për zhgënjimin e kancelares Merkel…

Prandaj mos vajtoni e kërkoni Blushin, se aty e keni; te lajmet për Edi Ramën “artist”, te ato që mungojnë për Gonin e Mirin dhe natyrisht te kafja e preferuar, ku merr prej vitesh “porosinë” e mikut të ngushtë, Saimir Tahiri!/syri/