Euro-gjeopolitik-vision

Nga Jonida Halili  

Një pritje e gjatë, e ëmbël e zjarrtë, kështu mund t’a përshkruaj finalen e kompeticionit më të rëndësishëm muzikor europian, Eurovision. Kjo pasi nuk kisha dyshimin më të vogël se Eugent Bushpepa me vokalin e tij të magjishëm do të përfaqësonte Shqipërinë denjësisht.

Eugent Bushpepa ngriti në peshë skenën e festivalit, duke dëshmuar fuqishëm zërin mahnitës dhe interpretimin tejet të sigurt të një këngëtari profesionist.

Eugenti për pak minuta i foli shqip gjithë Europës. Shumë shqiptarë, përveç krenarisë ndihen edhe të zhgënjyer që Shqipëria u rendit në vendin e 11, por jam e bindur se nëse nuk do të fuste hundët “politika” edhe në këtë festival, më shumë siguri do kishim një renditje më të mirë në Eurovizion. Eugenti padyshim meritonte më shumë.

Kështu do të ngushëllohemi, pasi asnjëherë nuk vlerësohemi ashtu siç duhet, pak sepse jemi “të vegjël” në sy të Europës dhe pak nga fqinjët që tregojnë “dhëmbët” edhe kur përpiqemi të jemi dashamirës ndaj tyre. Injorimi i Italisë duke i dhënë zero pikë këngës së Eugent Bushpepës nga juria profesioniste ishte zhgënjim për të gjithë. Po ashtu Maqedonia me gjysmën e popullsisë shqiptare e vlerësoi Shqipërinë me vetëm 6 pikë. Turp i madh!

Duke mos u foksuar vetëm tek vlerësimi i dobët e i pamerituar i Shqipërisë, Europa e Këngës nuk u tregua edhe këtë vit e drejtë. Ndodhi si kurdoherë. Eurovizioni gjithnjë ka qenë festival i politikës së fqinjësisë së mirë dhe “qokave”.

Pse fitoi Izraeli?

Këtë herë Eurosongun e fitoi Izraeli. Pa dashur të gjykoj vokalin e këngëtares izraelite, e cila s’do mend që është e talentuar që për më tepër ka dalë nga një talent show, por kënga me të cilën u përfaqësua ishte qesharake. Netta, këtë këngë mund t’a këndonte në karaoke e të argëtohej me shoqet duke “kakarisur” gjithë ditën.

“Eshtë një këngë që shpreh forcën e gruas, dhe jam shumë krenare që e këndoj, sepse e di që shumë gra ndiejnë trysninë për të qenë, ajo që u kërkon shoqëria”, ka thënë Barzilai.

Ok, mund të jetë kështu, dhe nuk mund të tregohem hipokrite duke thënë se mua nuk më shqetëson fakti që sot duhet të jesh shumë pranë “perfektes” për të qenë e pranuar në shoqëri, dhe Nettta pikërisht këtë përpiqet të thotë përmes fjalëve dhe fizikut të saj.

Jemi mësuar tashmë të shohim vajza të bukura, seksi dhe energjike në skenë si në rastin e Elenit, dhe mbase izraelitja kërkonte të na thoshte se vetvleresimi e siguria e te ndjerit mire me veten është më e rëndësishme se pamja e jashtme, e këtë mund ta bënte vetëm duke tërhequr vëmendje me kakarisjen e pulës.

Kushdoqofshin arsyet, Izraeli nuk e meritonte të fitonte këtë Eurovizion. Sidomos përballë konkurentëve si Italia, Bullgaria, Islanda, Danimarka, Belgjika.