Lopetegui: VAR do të ketë ndikim të madh në Botëror, duhet ta marrim seriozisht

Trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui, parashikon se VAR-i do të ketë ndikim të madh në Kampionatin Botëror, Rusia 2018.

VAR-it i është dhënë aprovim unanim në mbledhjen e fundit të mbajtur të FIFA-s në Zurich në mars, ku u votua për përdorimin e këtij sistemi në mënyrë të përhershme. Ky do të jetë Botërori i parë ku do të shfrytëzohën video ripërsëritje edhe pse në Brazil u shfrytëzua për herë të parë teknologjia e vijës së golit.

VAR ndërhyn gjatë një ndeshje vetëm kur gjyqtarët kanë bërë gabim të qartë në një prej zonave kryesore si penaltitë, golat dhe kartonët e kuq.

“Është një çështje e rëndësishme kjo, pa asnjë dyshim. VAR pritet që të ketë ndikim në shumë ndeshje në Botëror. Për shembull, do të ketë ndikim në ndaljen e lojës dhe vazhdimit të saj që ka ndikim në ritmin e ndeshjeve”, tha fillimisht Lopetegui.

“Unë kam analizuar se aty ku është përdorur VAR-i ka pasur më shumë gola në minutat shtesë sepse kjo tregon se ekipet shfrytëzojnë pushimet teksa gjyqtari kërkon të shikojë videon dhe ndodh që edhe kundërshtari të fitojë përqëndrimin gjatë kësaj kohe. Por, nuk ka kuptim që të ankohemi për këtë pasi tashmë duhet të jemi gati për VAR-in dhe ne do të studiojmë këtë me lojtarët dhe do të sigurohemi që të jemi të përgatitur. Është një gjë që duhet ta marrim seriozisht”, deklaroi Lopetegui.