Rama: Akuzat ndaj ministrit Fatmir Xhafaj, bajate dhe idiote

Në seancën e djeshme të parlamentit kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi për vëllanë e ministrit të brendshëm që u dënua në Itali dhe nuk është ekstraduar qëllimisht nga Shqipëria për të vuajtur dënimin. Serisë së akuzave që përsëriten nga PD prej 15 vjetësh ndaj Fatmir Xhafës, një herë si ish-ministër i Drejtësisë, më pas si deputet i PS dhe së fundi si ministër i Brendshëm, iu përgjigj dje kryeministri Edi Rama. Kryeministri rrëzoi, sipas tij, akuzat e selisë blu për dy arësye:

E para është qëndrimi i ndërkombëtarëve në gjithë këtë stuhi akuzash. Kryeministri Edi Rama tha dje se sikur edhe një pjesë e vogël e asaj që akuzon PD-ja të ishte e vërtetë për Fatmir Xhafaj, të parët që do të reagonin ishin ndërkombëtarët. “Nëse në këtë zurrna do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me përgjegjësi të çfarëdo natyre të ministrit tonë të brendshëm, besoj se asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme bindjen time se përpara se të flisnin këta, do të kishte folur miku ynë, protagonist i jetës tonë publike, ambasadori amerikan, do kishte folur Bashkimi Europian, do kishin folur ata, të cilët nuk kanë lënë rast pa folur, pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar”,- u shpreh Rama. Pra ndërkombëtarët nëse do shikonin shqetsim apo problem do kishin reaguar fort dhe hapur.

Akuzat e PD-së ndaj Fatmir Xhafajt janë të njohura prej vitesh, por në asnjë rast qëndrimet e PD nuk kanë sjellë reagim nga ndërkombëtarët, konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Nëse për një moment do të merreshin të mirëqena deklaratat e PD, zyrtarët e BE do të ishin të parët që do të kishin reaguar, për shkak se ankesa do vinte nga Italia, një vend i Bashkimit Europian. Dhe kjo nuk ka ndodhur, as sot që PS dhe Xhafaj është ministër, por as dje kur Xhafaj ishte një deputet i opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. E njëjta gjë vlen dhe për ambasadën e SHBA. Në këto vite, ambasadori i SHBA ka listuar me emër dhe mbiemër prokurorë, gjyqtarë, deputetë dhe këdo tjetër për të cilin kanë pasur prova për shkelje të ligjit apo implikimin në vepra penale. Akuzat që bën sot PD kanë shkuar dhe më parë në ambasadat e huaja. Ndaj nëse do të kishte diçka serioze në ato që deklarohen  këto ditë, SHBA nuk do priste që t’i dëgjonte nga PD.  Përkundër këtij varianti kemi një raport të ministrit Famir Xhafaj me ndërkombëtarët. Në historinë e ministrave të Brendshëm, Xhafaj është ndër të vetmit që ka raporte speciale me SHBA dhe vendet e BE. Madje edhe vet ministri ka deklaruar se arsyaja për marrjen e detyrës në vitin 2017 ishte dhe kërkesa dhe mbështetja që ka marrë nga diplomatët e vendeve perëndimore. Një fakt tjetër që vë në pikëpyetje gjithë fushatën e PD-së është dhe reforma në drejtësi. Fatmir Xhafaj ishte politikani ku BE dhe SHBA u investuan (bashkë me Ilir Metën) për gjithë procesin e hartimit dhe përgatitjes së reformës në Parlamentin Shqiptar. Është një detyrë që nuk mund t’i jepej kaq lehtë nëse ndërkombëtarët nuk do e kishin kaluar më parë në “veting” Fatmir Xhafaj, para reformës. Dhe Vettingu amerikan është shumë i vështirë. Ata të zhbirilojnë si në skaner. Por ministri Xhafaj u prit në SHBA nga drejtuesit e DEA-s, në FBI e në DAP.

Kjo e rrëzon sulmin e selisë së PD-së.

Argumenti i dytë që kryeministri Edi Rama solli dje në Kuvend për ministrin Fatmir Xhafaj është procedural, por ka jo pak rëndësi për të shpjeguar atë që ndodh. PD thotë se Xhafaj ka mbrojtur vëllanë duke mos e ekstraduar. Kryeministri Edi Rama deklaroi me përgjegjësinë e detyrës që mban se nga pala italiane nuk ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare apo jo zyrtare për ekstradim. “Nuk ka asnjë kërkesë formale apo informale nga autoritetet e vendit ku ka ndodhur ngjarja për autoritetet shqiptare për 6 vjet me radhë. Asnjë kërkesë. Nëse nuk ka kërkesë, nëse nuk ka asnjë përgjegjësi të lidhur me qeverinë, apo me personalisht ministrin e Brendshëm dhe nëse bëhet fjalë në fund të ditës për vëllanë, jo për të, në një sistem ku secili përgjigjet individualisht përpara ligjit, pse del sot?”,- tha kryeministri. Nëse nuk ka pasur asnjë kërkesë nga pala italiane, atëherë ku është shkelja ligjore e Fatmir Xhafaj, i cili ka më pak se një vit që mban detyrën e Ministrit të Brendshëm?

Gjithë ky sulm lidhet më dy variante të mundshme:

Së pari një pazar momental Tahiri-PD, sepse ka informacione se prokurori Besim Hajdarmataj, që njihet për lidhje shpirtërore me PD-në si dhe që ka origjinën e tij fisnore bashkë me themeluesin e partisë demokratike; ka vendosur mbrëmë se nuk do të kërkojë arrestimin e ish-ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri. Kjo në këmbim të dhënies së materialeve kundër ministrit Fatmir Xhafaj si dhe dosje, video, etj ndaj disa politikanëve. Pra një rrugë e dy punë: edhe Tahiri hakmerret, edhe PD-ja merr hov zjarri opozitar.

Ndodh që armiku i armikut tim bëhet miku im!

Së dyti një variant, edhe i besueshëm, lidhet me kapjen e 613 kg kokainë në portin e Durrësit nga ministri Fatmir Xhafaj, çka nuk pritej nga asnjë shërbim. Ishte një sasi e madhe kokaine, nisur nga Kolumbia, natyrisht që kishte garanci të madhe nga segmente të forta shtetrore ose nga politika. Pra me këtë kapje sasie kokaine ministri e rriti numrin e kundërshtarëve në shtet dhe në politikë. Me sa duket ia ruajtën dhe palët sulmuan këto ditë në emër të parimeve dhe ligjit.

Nëse do të ishte lajm i fundit dhe nuk dihej, por e zbulonte PD-ja, atëhere do të kishte meritën selia blu për diçka të tillë. Ky është lajm i para 15 viteve dhe ridel sa herë ka probleme lidershipi demokrat.

Pse nuk merret PD-ja me koncesionet, me tenderimet, me qindra milionë që ikin nga buxheti? Apo rrjedh ndonjë gjë edhe për opozitën nga vjedhjet në buxhet?

Qamil Xhani