Voltana Ademi “mban premtimin” e fushatës: E çoj Vllazninë në Kategorinë e Parë! (VIDEO)

Voltana Ademi mban premtimin. Në verën e vitit 2015, gjatë mbylljes së fushatës elektorale, kryetarja aktuale e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, bëri një premtim të madh, që ishte një “autogol” në fakt: “Klubin e futbollit Vllaznia, do ta çojmë më tej, në Kategorinë e Parë”. Është me zë e figurë dhe në situatën ku është ekipi kuqeblu, kalimi nga Superiorja në të Parën është një realitet i afërt.

Në Shkodër, po u premtove Vllazninë kampione, janë gati të gjithë të të japin edhe mbështetje politikisht. Viti 2019 është special për ta, pasi festojnë 100 vjetorin si klub. Nëse do të jenë në Kategorinë e Parë, atëherë do të ishte një faturë e rëndë për kryebashkiaken dhe mbajtje e një premtimi elektoral, nga të paktët që mbahen në vendin tonë, ku gjatë zgjedhjeve janë të shumta. Aktualisht Vllaznia renditet në vendin e parafundit në Kategorinë Superiore pas 33 javësh kampionat dhe në tri javët e mbetura ka tre takime të vështira.