Skaneri i ministrave të Ramës, në 9 muaj

Nga Roland Qafoku
Vera e re në fuçinë e vjetër

Më mirë se vetë Edi Rama, askush nuk do ta kishte thënë se, cila është gjendja e qeverisë që ai drejton, cili është armiku i saj dhe cilat janë dy rrugët që qeveria dhe ministrat duhet të zgjedhin.

“Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe ky armik është turku që jeton brenda secilit prej jush, o mbyteni, o përgatituni për të lënë anijen!!!”

Këto pasazhe mund t’i kishte shkruar kushdo. Një analist, një gazetar, një qytetar i thjeshtë e lëre pastaj një opozitar. Por këto 25 fjalë të drejtpërdrejta, i ka shkruar më 8 shtator 2015, vetë kryeministri Edi Rama. Atë ditë, Edi Rama kishte vetëm dy vjet në detyrën e kryeministrit, kur shkroi letrën e famshme drejtuar ministrave. Tashmë kanë kaluar 5 vjet, ose më saktë, 9 muaj nga mandati i dytë dhe situata është e tillë që, sërish i duhet të shkruajë një letër të dytë. Sinjalin e dha teksa në një fjalim më 29 prill 2018, përmendi fjalën ndryshime në qeveri. Nuk përmendi fjalën turk, rrezik dhe ç’duhet të bëjnë ministrat që, sipas tij, nuk kanë mbarëvajtjen që ai do të donte të kishin. Por e tha troç, që do ketë ndryshime në shtator.

“Ne do të vlerësojmë, çfarë ndryshimesh do të bëjmë në qeveri në shtator, se cilat ministri nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregojnë shifra dhe statistika, por të kenë vendin e tyre në mendjet e zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin.

Por si ka qenë perfomanca e qeverisë Rama, në këto 9 muaj? Si kanë punuar ministrat e tij? A janë më të denjë ata që qëndrojnë ende në atë detyrë dhe cili është perceptimi i publikut. Natyrisht që, çdo ministër, nëse dëgjon qoftë edhe një fjalë për veten e vet, do nxjerrë nga sirtari raporte, tabela, shifra e të dhëna, që ta bënë mendjen lëmsh. Por më e rëndësishme se dëshira që kanë ata, se si duken për veten e tyre, është se si mendon publiku për ta.

PANDELI MAJKO, ministër Shteti për Diasporën

Pandeli Majko është futur në histori si kryeministri i 4-ët më i ri në moshë, por më shumë se kaq, si kryeministri i krizës së Kosovës – më saktë, si kryeministër i Luftës. Por pyetja aktuale është: Për çfarë do mbahet mend Pandeli Majko, si ministër i Diasporës? Pas 9 muajve në drejtimin e kësaj ministrie, vlen të përmenden udhëtime pa fund jashtë Shqipërisë, por pa ndonjë rendiment konkret. A ka arritur Majko që, në këto 9 muaj, të sjellë ndonjë investitor të diasporës në Shqipëri? Përgjigjja vë në vështirësi, jo vetëm Majkon, por edhe qeverinë Rama. Nuk mund të quhet arritje fakti që, Majko ka arritur të publikojë shifrat e shqiptarëve që ndodhen në burgjet e shteteve të huaja. Për më tepër që, ajo është një shifër e ditur, për të cilën media ka shkruar e shkruar në këto 28 vjet. Për staturën e Majkos pritej shumë më shumë se sa kjo dhe fjalimet që ai ka mbajtur gjatë kësaj kohe. Statura e tij është ulur aq shumë me këtë detyrë, saqë nëse PS-ja fiton mandatin e tretë, gojët e liga thonë se, Majko mund të pranojë të bëhet edhe drejtor drejtorie.

SONILA QATO, ministre shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Është e vështirë të gjesh dikë që të ketë perceptim të keq për Sonila Qaton. E ka zbatuar me përpikmëri urdhrin e kryeministrit se, nëse nuk ia hap telefonin ndonjë biznesmeni, do shkarkohet. Por ama, kjo është e pamjaftueshme. Atë pak staf që ka në varësi, e ka në përpjesëtim të zhdrejtë me edukatën, zotësinë dhe dëshirën e saj, për të bërë punë të mira. Nuk janë të paktë biznesmenët që mendojnë se, ndërsa vetë Qato është komunikuese, vartësit nuk i ka aspak të tillë. Ndërsa Qato vetë është korrekte, vartësit nuk i ka aspak të tillë. Nëse vetë Qato është pozitive ndaj biznesit, vartësit nuk i ka të tillë. I duhet të koalidojë vartësit, të jenë në nivelin e punës së saj, ndryshe merr edhe ajo faturën për shkak të tyre.

DITMIR BUSHATI, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme

Djali i mirë, Dimtir Bushati, duhet ta ketë kafshuar kushedi sa herë gjuhën për lëngun H2Oqë hodhi drejt opozitës, në seancën e 12 prillit të këtij viti. Ai që të jep përshtypjen se në jetën e vet nuk ka vrarë një mizë, nuk është përleshur asnjëherë me dikë e nuk ka qenë asnjëherë njeri me probleme, ai veprim duket se e ka vënë në siklet. Megjithatë, duhet të themi se, performanca e tij si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme është shumë më shumë se ai veprim për të cilin, me edukatën “dardha ka rënë poshtë pemës së vet”, kërkoi falje. Në 5 vjet, Ditmir Bushati ka qenë një ministër dinjitoz në përfaqësimin e Shqipërisë, aktiv, në nivel të njëjtë me homologët e huaj dhe rezultativ në bilancin e diplomacisë. Për shkak të kësaj performance, por edhe të shumë vendimeve të rëndësishme që priten të merren në të qershor, Rama duhet ta shikojë si vlerë të shtuar Bushatin, deri sa kjo qeveri të ketë mandat. Nëse vendet anëtare të BE-së do japin ok për hapjen e negociatave në qershor, ai do jetë ministri më i sigurt në qeverinë Rama.

OLTA XHAÇKA, ministre e Mbrojtjes

Kryeministrit Edi Rama po i ecën mirë, teksa në krye të Mbrojtjes ka vendosur, për të dytën herë, ta drejtojë një grua. Jo vetëm pjesa estetike, por edhe ajo që përfaqëson, Olta Xhaçka e ka justifikuar dhe ajo e ka vazhduar atje ku e ka lënë Mimi Kodheli. Natyrisht që, Xhaçka nuk ka përvojën dhe autoritetin e lartë të Kodhelit, por të paktën nuk po stonon në harmoninë dhe vijueshmërinë e problemeve me ushtrinë. Kësaj duhet t’i shtohet edhe fakti se, ka një avantazh të madh, që ushtria jonë monitorohet nga NATO dhe ka një varësi dyfishe edhe nga presidenti, dhe Xhaçkës i duhet thjesht të koordinojë veprimet. Xhaçka duket se e ka bërë këtë.

FATMIR XHAFAJ, ministër i Brendshëm

Ministri i 62-të i Brendshëm në historinë e shtetit shqiptar, është nga më rezultativët e qeverisë Rama. Nuk ka vend as për preferencë e as për nostalgji, por janë disa tregues që e konfirmojnë këtë. Xhafaj ka arritur që, në 9 muaj në detyrë, të heqë një njollë të madhe Shqipërisë, që kishte të bënte me kultivimin e kanabisit, të rrisë besimin në Polici pas goditjes së madhe që i bëri politika, por më shumë se kaq, të arrijë të organizojë platformën policimi në komunitet. Një policim që ishte zhdukur për muaj e vite me radhë, po nga qeveria socialiste. Nëse Xhafaj e ka seriozisht këtë policim, pa diskutim që kjo metodë pritet të sjellë shumë më tepër rezultate, edhe se ato që ai i ka parashikuar vetë.

ARBEN AHMETAJ, ministër i Financave dhe Ekonomisë

Arben Ahmetaj ndoshta ende nuk e ka kuptuar se, si të jetë puna e tij ashtu është edhe vlerësimi për qeverinë Rama. Një qeverisjeje mund t’i falet gjithçka, me përjashtim të njërës, ekonomisë. Me rritje 3 për qind që të këput shpirtin, me 300 mijë shqiptarë që kanë lënë atdheun për shkaqe ekonomike, me një sërë raportesh ndërkombëtare aspak optimiste dhe me taksa që nuk i quan të tilla, Arben Ahmetaj nuk do të mbahet mend vetëm si mësuesi i anglishtes që u bë ministër i financave, por edhe si ministri i Financave që ka bërë më shumë propagandë në shqip dhe anglisht në histori. Që ta kuptojmë këtë, mjaftojmë të përmendim disa ekonomistë të njohur në Shqipëri, që u bënë ministër Financash pas vitit 1990, si Shkëlqim Cani, Ritvan Bode, Genc Ruli, Dylber Vrioni, etj. Kaq mjafton.

DAMIAN GJIKNURI, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

Damian Gjiknuri është një nga ministrat kyç të qeverisë Rama. Nuk e kemi vënë kurrë në dyshim ndershmërinë dhe aftësinë e tij, kjo për shkak edhe të prejardhjes familjare dhe një edukatë të trashëguar. Por autoriteti i Gjiknurit është vënë disa herë në pikëpyetje nga drejtorë dhe super drejtorë që janë në vartësi të tij, të cilët bëjnë qark të shkurtër me kryeministrin dhe e anashkalojnë ministrin. Gjiknuri duhet të ketë kurajën t’u tregojë vendin këtyre Lalë Krosëve, që kanë turkun në bark si të ishim 100 vjet para, duke përdorur ligjin dhe duke i treguar edhe vetë kryeministrit Rama, që këto lloj speciesh të neveritshme, janë problem numër një i qeverisë.

LINDITA NIKOLLA, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Lindita Nikollën nuk mund ta akuzojë askush për korrupsion, abuzim dhe mungesë ndershmërie, në zbatimin e detyrës. Por reforma në arsim ishte një dështim total i saj. Sot, jo vetëm që nuk ka rezultate të saj, por në universitetet shtetërore dhe private ka një kaos total që, pasardhësit të saj i duhet shumë punë për të bërë që ta çojë në gjendjen fillestare. Lindita Nikolla mbetet një grua e mirë dhe një zyshë po aq e mirë matematike, por që nuk i shërbeu shumë arsimit. Kishim dëgjuar në këto 28 vjet që, profesionistë të ndryshëm nuk kishin marrë rrogat, por kur ndodhi me pedagogët e Universitetit të Tiranës, kjo ka lënë një shije aq të hidhët sa më s’ka.

ETILDA GJONAJ, ministre e Drejtësisë

Ministrja e re e Drejtësisë Etilda Gjonaj ishte një risi e qeverisë Rama dhe duket se dalëngadalë po ngrihet në lartësinë e duhur të detyrës. Duket gjithashtu që vetë kryeministri Edi Rama e vlerëson shumë Gjonajn dhe varja në qafë e medaljonit “reforma në drejtësi” është një trofe i rëndë që ai ia ka dhënë dhe që asaj I duhet të justifikojë. Ka shumë gjasa që Etilda Gjonaj të mbahet mend si ministrja e Drejtësisë gjatë kohës të së cilës u realizua reforma në drejtësi. Po ka po aq gjasa që kjo të mos ndodh sepse hapat e ngadaltë me të cilën po ecën vettingu dhe ngritja e institucioneve të reja të kësaj reforme llogariten se do të duhet të kalojnë 9 vjet. Më shumë besojmë që zonja Gjonaj duhet të nxisë për të përshpejtuar ritmet për vettingun dhe ngritjen e SPAK dhe BKH se sa do qendrojnë në detyrë edhe 9 vjet të tjera. Aktualisht me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë që nuk funksionojnë, sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka rënë. Zonjës Gjonajt i duhet që në koordinim edhe me institucionet e tjera të gjejë rrugëzgjidhje sepse ky kolaps mund të përmbysë edhe vetë shtetin.

MIRELA KUMABRO, ministre e Kulturës

Çuditërisht, një nga ministret më jetëgjatë në qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe pas vitit 1990, punët e saj në këto 5 vjet, janë të tilla që nuk kanë për tu mbajtur mend. Nëse shikojmë punët në kulturë, të gjithë e dimë se janë vepra dhe ide ekskluzive të kryeministrit dhe e këshilltarëve të tij. Unë nuk kam ndryshuar mendim për ministren e Kulturës, që vazhdon të funksionojë ende sikur jep mësim, duke mos e kuptuar asnjëherë detyrën aq të rëndësishme që ka. Eqrem bej Vlora, një nga paraardhësit e saj, duhet të jetë rrotulluar atje në varr me këto që kanë ndodhur me kulturën në këto 5 vjet.

NIKO PELESHI, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Niko Peleshi është nga ata ministra që vlerësohet më shumë nga opinioni dhe perceptimi për punën e tij është nga më të mirët. Është vendosur ministër për ta nderuar qeverinë me punën që bën, me ndershmërinë që e karakterizon dhe e ka arritur këtë. Aq e spikatur është kjo, sa edhe vetë opozita në rastin më të keq, nuk e zë në gojë dhe në rastin më të mirë flet vetëm mirë për të duke e veçuar nga pjesë tjetër e qeverisë. Vetëm një këshillë kemi për burrin e mirë, zotin Peleshi: Zoti ministër, mos tolero kurrë për sigurinë ushqimore, sepse aty fillon siguria e jetës së popullit!

OGERTA MANASTIRLIU, ministre e Shëndetësisë

Ka një sjellje të bindur ndaj shefit të vet. Ka një sjellje të mirë në komunikim me publikun. Për hir të vërtetës, janë bërë goxha hapa në disa drejtime. Por a mjaftojnë këto kur në spitale nuk ka ilaçe? Shefi i kirurgjisë në spitalin e Tiranës, ka vënë duart në kokë disa herë, kur në spitalin që drejton nuk ka ilaçe. Dhe kur nuk ka ilaçe, nuk ka ilaçe. Këtu është fundi dhe fjalët nuk vlejnë. Një mjeke dhe një grua tashmë me përvojë si Manastirliu, duhet ta kishte zgjidhur më kohë këtë situatë. Lëre pastaj togfjalëshi “shëndetësia falas” që është harruar dhe tashmë gjendet vetëm e arkivuar në humorin e zi të ministrisë së Shëndetësisë.

BLENDI KLOSI, ministër i Turizmit dhe Mjedisit.

Një nga ministrat më me përvojë, Blendi Klosi, nderon jo vetëm Ramën. Ai është nga ata që nuk e ka turkun kurrë në qenien e vet dhe nuk ndryshojnë edhe po t’i japin super pushtet. Blendi Klosi vazhdon të punojë, siç ka punuar në të gjithë karrierën e vet si ministër. Kjo verë pritet të jetë një provë e madhe për të për numrin e turistëve, por edhe për pastërtinë e mjedisit në bregdet. Bilanci në fund të gushtit, pritet të sjellë edhe pozitën e tij në krye të dikasterit që drejton.

Albanian Free Press