Në 70-vjetorin e lindjes, Agim Doçi promovon “Ritualin e kryqëzimit”

(Avni Mula, Reshat Arbana, Çun Lajqi, Bujar Asqeriu, Kastriot Tusha, Irma Libohova, Manjola Nallbani, Martin Leka, Luan Rama, e shumë figura të tjera publike nderuan “Mjeshtri i madh” me praninë e tyre)

Nga Albina Gjergji

 

Nëse i bëhet paqe gjithë botës

Dhe lumturi të gjithë njerëzimit

I gjeni dërrasat edhe gozhdët

Unë pranoj ritin e kryqëzimit”.

 

Sikurse vetë protagonisti i mbrëmjes. Aspak klishé dhe jashtë kornizave. E tillë ka qenë edhe festa e djeshme, organizuar me rastin e 70-vjetorit të lindjes së poetit Agim Doçi në ambientet e “Tirana International”. I konceptuar si një takim mes miqsh në një përvjetor jo të zakontë lindjeje, “Mjeshtri i Madh” në vend që të merrte dhurata zgjodhi të bënte, duke promovuar kështu edhe librin e tij të radhës me poezi, “Rituali i kryqëzimit”.

Personalitete të ndryshëm, aktorë, sportistë, këngëtarë, politikanë, gazetarë, si dhe dashamirës të shumtë ardhur nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi morën pjesë në këtë ceremoni, moderuar me mjaft simpati nga Bujar Kapexhiu.

“Nderi i Kombit” Avni Mula, Reshat Arbana, Çun Lajqi, Bujar Asqeriu, Kastriot Tusha, Irma Libohova, Manjola Nallbani, Martin Leka, Luan Rama, e shumë figura të tjera publike nderuan dhe spikasnin me praninë e tyre në ceremoni.

Festa u çel me një dokumentar interesant kushtuar jetës dhe krijimtarisë së autorit, Agim Doçi, për t’ia lënë më pas radhën fjalimeve për autorin dhe të qeshurave pafund që familjarë, kolegë e artistë shkaktuan në sallë. Vetë Doçi, mes emocioneve të shumta e ndonjë loti që padashje e tradhtonte falenderoi të pranishmit për fjalët e mira që u thanë si dhe për atmosferën që krijuan.

Nga salla e madhe e konferencave, festa e datëlindjes dhe e promovimit të librit “Rituali i kryqëzimit” u zhvendos në hollin e “Tirana International”, duke vijuar më tej me një kokteil që zgjati deri në orët e vona të datës 9 maj 2018.

“Rituali i kryqëzimit” përmban poezi të zgjedhura të autorit, vjen i redaktuar nga bashkëshortja e Agim Doçit, Yllka Çausholli, ndërsa në treg prezantohet nën markën e Shtëpisë Botuese “GEER”. Për artin grafik është kujdesur Erald Jaku.

Agim Doçi është shkrimtar dhe autor këngësh shumë i njohur. Emri i tij është ndër më të lakuarit në skenat e Festivaleve të Radio Televizionit Shqiptar. Ai ka shkruar shumë tekste këngësh me tematika të larmishme, por ato që duartrokiten nga e gjithë shqiptaria anembanë globit mbeten tekstet me temën e atdhedashurisë, veçanërisht për luftën e Kosovës. Emrat si Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Ledina Çelo, Cun Lajçi, Ilir Shaqiri, Numon Mushkolaj, Liri Lushi, Arif Vladi dhe Leonora Jakupi janë vetëm disa nga këngëtarët që i kanë dhënë zë poezive të tij ne nivel kombëtar e ndërkombëtar.

/Burimi: VOX ALBANIAE/