Drafti në Kuvend – Hetimi i zyrtarëve të korruptuar, reformohet Policia Gjyqësore

Policia gjyqësore do t’i nënshtrohet një reforme të thellë për t’u kthyer në një prej strukturave bazë që do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë e krimin e organizuar. Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve ka nisur shqyrtimi i një drafti të ri që rregullon aktivitetin e policisë gjyqësore dhe lidhjen e saj me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar në parim ndryshimet në legjislacionin për Policinë Gjyqësore, i cili vjen në kuadrin e Reformës në Drejtësi.

Diskutimet

Nismëtarja e projektligjit, deputetja e PS, Vasilika Hysi, u shpreh në fillim të fjalës së saj që nisma ligjore vjen në kuadër të paketës së projektligjeve të hartuara nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Hysi saktësoi në fjalën e saj arsyet e depozitimit të një projektligji të ri, duke reflektuar edhe sugjerimet e ekspertëve të nivelit të lartë. Sipas saj, ndërhyrja vinte në përputhje me dobësitë e vërejtura nga analiza e sistemit të drejtësisë lidhur me organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore. Në këtë dokument, sipas znj. Hysi, janë vërejtur: hapat pas të bëra në vitin 2010 pas heqjes së procedurës së konkurimit të oficerëve; transferime të shpeshta; mosnjohje nga prokurorët e organikave; mbingarkim të oficerëve të policisë gjyqësore me detyra të tjera administrative.

Hysi theksoi nevojën për harmonizimin e paketës së ligjeve të miratuara nga Kuvendi në kuadër të reformës në drejtësi me organizimin dhe funksionimin e ri të Policisë Gjyqësore.

“Ky ligj është treguar i kujdesshëm për të saktësuar mirë parimet e organizimit dhe të funksionimit, për të shmangur atë përplasje ose paqartësi që kemi patur deri më sot me shërbimet e Policisë Gjyqësore. Gjithashtu, qartësohet mirë marrëdhënia e Policisë Gjyqësore me Byronë Kombëtare të Hetimit. Njëkohësisht, ligji i jep një rol të rëndësishëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë lidhur me emërimet, promovimet, transferimet e oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe ka një qartësim lidhur me rolin dhe funksionin që kanë shërbimet dhe strukturat e Policisë Gjyqësore. I është kushtuar rol të veçantë trajnimit fillestar, për të hyrë në këtë lloj shërbimi, por edhe formimit vazhdues”, – u shpreh Vasilika Hysi lidhur me projektligjin.

Relatori i projektligjit, Alket Hyseni, e vuri theksin në fjalën e tij në nevojën për pasjen e një ligji që organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore e ndërton në mënyrë të atillë, që të shmanget nevoja për ndryshime të tjera e ligjit për një afat kohor sa më të gjatë. Z. Hyseni vuri në dukje problematikat e hasura nga raportet ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, çka vinin theksin te çalimi i procesit të hetimit. Deputeti i Partisë Socialiste shtroi nevojën e rregullimit të sa më shumë elementeve përmes këtij ligji, që korrektojnë në mënyrë sa më të plotë praktikat e mëparshme problematike.

Relatorja tjetër e projektligjit, Elena Xhina, përshëndeti nismën ligjore të znj. Hysi dhe ritheksoi faktin që kjo nismë vjen në përputhje me paketën e reformës në drejtësi, e që shumë rregullime të nevojshme nga komisioni, duhet të orientohen drejt korrektimit të praktikave të bëra me dije nga vetë analiza e sistemit të drejtësisë.

Në dakordësi parimore me projektligjin u shprehën njera pas tjetrës edhe institucionet e pranishme në komision: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme dhe misionet OPDAT dhe EURALIUS.

Ndërsa kryetari, Ulsi Manja, theksoi se ligji duhet të rregullojë çështjen e trajtimit financiar të kësaj strukture pasi reforma në drejtësi parashikon që prokurorët dhe gjykatësit të dalin vetëm nga Shkolla e Magjistraturës duke u ndërprerë kështu OPGJ-ve mundësinë për karrierë.

Ulsi Manja: Të merren në konsideratë në projektligj, një trajtim i duhur financiar lidhur me policinë gjyqësore edhe për shkak të mbylljes së sitemit të karrierës për tu bërë prokurorë.

Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme ishin dakord në parim, ndonëse 2 instutucionet e fundit duket se kishin disa sugjerime.

Kosta: Të përshtasim nenet me ligjet e miratuara paraprakisht që të mos ketë kontradita mes tyre pastaj, sepse konstatojmë në 2-3 raste.

Hodo: Të gjitha sugjerimet që ne kemi për shtesa në ndryshime janë të zgjidhshme gjatë shqyrtimit nen për nen.

Në fund, Komisioni i Ligjeve e miratoi në parim projektligjin “Për funksionimin dhe organizimin e Policisë Gjyqësore”.

Deputetët pjesmarrës në Komision u shprehën se nuk do të lejohen Oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët nuk kanë njohuri juridike.

Deputetët e opozitës parlamentare nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme të komisionit.