A rrezikon Shqipëria mos hapjen e negociatave? Ish-ministrja: Jam skeptike për qershorin

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha tha se është skeptike për hapjen e negociatave në qershor, muaj kur pritet përgjigjja nga BE. Në studion e News24, në rubrikën “Opionion”, Gjosha foli për kushtet për hapjen e negociatave dhe qëndrimin e vendeve anëtare. E pyetur nëse rrezikon Shqipëria mos hapjen e negociatave, Gjosha shprehu mosbesim pasi disa prej vendeve kanë folur.

“Jam pak skeptike për qershorin, duke parë se vendet anëtare kanë filluar të shprehen. Gjermania ka folur, npm Krischbaum, Holanda ka folur. Mua më ka ardhur keq të dëgjoja që Shqipëria nuk është ende gati. Gjithmonë kam besuar se procesi do na bëjë ne gati. Procesi i integrimit është jetik për Shqipërinë. Ky është i vetmi rrugëtim që ne na fut në binarët e mënyrës se si duhet të funksionojë një shtet demokratik”, tha Gjosha, raporton “BalkanWeb”.

Lidhur me deklaratat se nëse çështja “Tahiri” është kusht për negociatat, deputetja e LSI-së tha se duhet të flasë drejtësia. Gjithsesi ajo nuk mohoi se në momentin që parlamenti nuk pranoi heqjen e mandatit të tij, u krijua panik tek vendet anëtare të BE-së.

“Nuk e di se çfarë kanë diskutuar vendet anëtare. Për çështjen Tahiri duhet të flasë drejtësia. Nuk na takon ne. Drejtësia duhet të japë verdiktin. Ka një moment që ka shkaktuar panik tek vendet anëtare, momenti kur politika nuk e la Tahirin tek drejtësia duke mos i hequr imunitetin”, u shpreh Gjosha.

Për sa i përket marrëdhënies me parlamentin, deputetja e LSI-së tha se do jenë aty për të luftuar nëpërmjet institucioneve.
“Ne kemi qenë pjesë e seancave parlamentare. Do jemi aty sepse besojmë që lufta politike bëhet nëpërmjet institucioneve”, u shpreh ajo.