Duhet me u martu goca që të kapni ndonjë lek

Nga: Enkel DEMI

I rrethuar nga gjithë këto goca beqare, kuptova përse është shtuar skamja në këtë vend. Natyrisht, idetë e mëdha, revolucionare vijnë nga etërit e kombit. Në fakt, vështirë e kam patur ta marrë vesh pse kombi ka shumë baballarë dhe vetëm një nënë, por kur e sheh Shqipërinë të katandisur si kullesë makaronash e kupton dhe këtë mister.

Pra, po thoja që një baba kombi, i cili është pjesë e një gjykate tejet të lartë ka thënë se
shtëpinë e tij të parë e bleu me paret që i hodhën në dasëm. Madje, dëshironte të paraqiste si provë kasetën e dasmës.

Le të dalë kush të dojë, njohës ligji apo ligjvënës dhe të kërkojë llogari për këtë veprim bujar të farefisnisë dhe shoqnisë. Pastaj, paret në dasëm nuk ka si të hidhen me faturë që t’i çosh më vonë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ato hidhen dhe mblidhen me fshesë, kaci, grushta, trapezë, thasë, qese të rastit, vellon e nuses e me ç’të mundin nikoqirët.

Pasi ikin njerëzia nga dasma, askush mos të mendojë se çifti shkon të konsumojë
martesën në odën e qejt. Sigurisht, që atje e mban vrapin, por jo për të bërë ashtuse me sho-shoqin si e do zakoni (se atë punë do bëjë gjithë jetën), por shkon e numëron paret. Numëro e numëro dhe të qëllon që je fatlum, të kanë rënë në hise një se miq me zemrën sa mali i Korabit që të dorovisin para për të blerë saraje për “Kush k’ce Nap’lonin…”, “Digje shaminë e beqarit…” apo “Çuni i vogël do llokum, llokum…”.

Këtu duhet futur në hesap që çifti mund të ketë patur aftësi aq të mëdha koreograke
sa paraja shkonte vetë lumë pa ditur dhe papandehur. Pra, janë bërë në një kombinim të
vetëm; farasnia, miqësia, talenti dhe niveli shumë i lartë artistik i muzikantëve që kanë
shoqëruar këto valle me shprehjen magjike në fund: “Ju lumshin komët!”.

Prandaj, goca mos rrini kot vërdallë beqare dhe torturoni veten për të blerë shtëpi-kutiza që i lani me kredi. Gjeni një djalë-azgan, i fusni krahun, i mësoni vallet dhe ja ku ju del kismeti. Madje, burrin gjejeni mundësisht edhe pak të kumarit, se përveç shtëpisë së dorovitjes e blen dhe një copë tokë, meqë i ecën me baste, saç’ është e vërtetë që 7 X 7
bëjnë 42. Ndaj futini në punë halla, teze, nëndaja, fqinje dhe gjejeni një copë burrë që e qan “Ra faja prej kut”.

Burimi: /Tirana Post/