Spektakli ndjellakeq me kokat e prera nga vettingu


Nga Andi Bushati – 

Publiku po kënaqet prej disa javësh me një spektakël të shëmtuar. Komisionet e vettingut po presin njëra pas tjetrës kokat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kalojnë dot testin, duke shpërndarë si trofe për kënaqësinë e turmave të uritura, apartamente të pa justifikuara, shtëpi në bregdet që nuk dihet si janë blerë, llogari bankare që një njeri i thjeshtë i ka vështirë t’i kursejë gjithë jetën, borxhe nga familjarët dhe para të hedhura në harbime martesash.

I gjithë ky show po përcillet nga një pjesë e politikës dhe e mediave vendase si ora e së vërtetës së reformës në drejtësi. Diplomatët e huaj kanë filluar të thonë se më në fund vullneti dhe këmbëngulja e tyre po jep frytet e para, ministrja e drejtësisë numëron e ekzaltuar emrat e atyre që janë përjashtuar nga sistemi, ndërsa kryeministri i shfrytëzon të njëjtët, përpara homologëve europianë, si trofe për të ilustruar përparimin e vendit nën drejtimin e Rilindjes.

Duke parë këtë shfaqe, me siguri që një shumicë qytetarësh të frustuar, të lodhur nga padrejtësia dhe dërrmuar nga mungesa e shpresës, mund të gëzohen duke besuar se era po fryn në drejtimin e duhur. Ata mund të shpresojnë se mrekullia po ndodh, se të paprekshmit tani po paguajnë, se ata tek të cilët duhet të trokisnin me para në dorë, tani po tregohen me gisht.

Por në fakt ka gjasa që të mos jetë kështu.

Sepse pikërisht fakti se e gjithë propaganda po fokusohet vetëm tek ndëshkimi, është një ogur i keq. Spastrimi, ndonëse në dukje i vështirë dhe deri pak kohë më parë i paimagjinueshëm, është puna më e lehtë e ngritjes së një sistemi të shëndetshëm drejtësie. Sfida më e vështirë, ajo që jep garanci dhe shpresë afat gjatë është mënyra se si do të ndërtohen institucionet e reja, parimësia dhe profesionalizmi i njerëzve që do të integrohen në to.

Pikërisht këtë gjë tregon edhe historia jonë e 70 viteve të fundit. Sistemi shqiptar i drejtësisë ka pësuar dy tërmete të mëdha. Njëri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe ardhjen e partizanëve në pushtet dhe i dyti me përmbysjen e komunizmit dhe vendosjen e sistemit demokratik.

Në të dyja rastet spastrimi ishte pothuajse total. Po fatkeqësisht produkti ishte fatal. Sepse edhe luftëtarët që drejtuan proceset me dyfek në dorë, duke i shndërruar kinematë e fashizmit në salla propagande kundër bashkëpunëtorëve të tij edhe juristët e plepave që ngriheshin në detyrë në bazë të dënimeve politike që jepnin, treguan të njëjtën gjë: se më i rëndësishëm sesa spastrimi i të vjetërve nga sistemi është identikiti i të rinjve që do të hyjnë në të.

Pikërisht me këtë sfidë po përballet për herë të tretë drejtësia shqiptare. Dhe duket se ne po përsërisim sërish të njëjtin gabim.

Ne po ftohemi të konsumojmë me entuziazëm gjuetinë e shtrigave kundër atyre që po largohen, ne na ofrohet përdhosja e tyre publike, inventari i pronave që kanë fituar në kurrizin tonë dhe këtu shfaqja mbaron. Komentet pas saj janë të gjitha njësoj. Arkitektët e reformës të gjithë në kor po bërtasin të entuziazmuar “fitore”, duke mbytur ata zëra të arsyeshëm që duan të ngrenë pyetjen se ç’do të ndodhë më pas?

Sa do të ketë në sistemin e ri studentë që kanë mbaruar shkollimin e tyre në universitetet më prestigjioze të perëndimit? A janë të mirëseardhur ata?

Sa do të zënë vend aty njerëz që kanë respekt për të drejtat e tyre njerëzore dhe për privatsinë e tyre dhe që vetëm kështu do të mund të japin garanci që do jenë sensibël edhe ndaj të drejtave tona?

Sa do të mund të depërtojnë aty profesionistë me integritet kontibuti i të cilëve nuk do të matet nga devocioni që kanë treguar kundrejt atij që është në pushtet?

Pikërisht mbi këto tema duhej të zhvillohej debati real mbi drejtësinë e re që mëtohet të ngrihet. Ai duhej të ishte i fokusuar të kualiteti i asaj që pritet të ndërtohet dhe jo tek anatemimi i asaj që po shkatërrohet.

Fatkeqësisht, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, në Shqipëri, po triumfon gjuetia e shtrigave ndaj të djeshmes, përpara preokupimit për të nesërmen. Dhe ky është sinjali që duhet të n’a shqetësojë.

Sepse as deklamimet e diplomatëve edhe qeveritarëve as enumeracioni që ata i bëjë kokave të prera deri më tani, nuk janë një garanci për të ardhmen. Në të kundërtën, ato mund të jenë spektakli zhurmëmadh që na pengon t’i shohim rreziqet e saj.

Lapsi.al