Pakult: E paralajmërova ekipin, edhe ne na janë mohuar penallti

Kukësi vuajti shumë për të marrë 3 pikët e radhës në kampionat, diçka që ishte paralajmëruar më parë dhe nga trajneri Piter Pakult. Strategu austriak duke folur pas ndeshjes evidentoi vështirësinë e këtyre takimeve dhe tha se është i lumtur me fitoren, më shumë se me çdo gjë tjetër.

“Unë e shoh ndryshe këtë ndeshje, pasi mendoj se në pjesën e parë bëmë një ndeshje të mirë. Kishim rastet tona, por nuk finalizuam dhe më pas erdhi ai gol i barazimit. Patëm edhe mungesa për shkak të dëmtimeve dhe kartonëve sot dhe u desh të ndryshonim shumë gjëra në fushë. Arti i trajnerit është të motivojë skuadrën edhe në takime të tilla, ku në letër është ndeshja e fituar. E paralajmërova skuadrën edhe para dy ditëve, pasi u solla shumë shembuj nga karriera ime, ndërsa sot jam më shumë i kënaqur për faktin që morëm 3 pikët.

Shpresa për titullin? Jemi të kënaqur me fitoren sot dhe do të shohim në ndeshjet e ardhshme se çfarë do të ndodhë.

Penalltia e mohuar? Unë mendoj se arbitri duhet të vërshëllejë atë që shikon në fushë. Natyrisht që në dy javët e fundit na u mohuan dy penallti flagrante, ndërsa sot iu mohua Lushnjës. Nuk mendoj se kompensimi është diçka e drejtë, pasi çdo ndeshje ka historinë e saj, por ky rast konfirmoi se arbitrat gabojnë në mënyrë njerëzore dhe herë në favor, e herë kundër”, tha Pakult.