Në një karrige s’mund të rrinë dy

 (Fabul nga e kaluara)

Nga Hyskë Borobojka

Në një kooperativë bujqësore, tre anëtarë të saj, gjeli, qeni dhe gomari veshgjatë, i kishin bërë një kërkesë Asamblesë, se donin të largoheshin nga kooperativa. Asambleja, si u njoh me kërkesën e tyre, vendosi t’i thërriste në mbledhjen e saj të tregonin arsyet e vërteta pse donin të largoheshin nga ekonomia e tyre. I pari që u paraqit në sallën e mbledhjeve, ishte gjeli pendëkuq.

-Pa na thuaj ti gjel këngëtari, ç’të keqe ke parë nga kooperativa jonë, që kërkon të largohesh?- e pyetën

-Dua të largohem sa më parë, pasi jam i tepërt e s’ka nevojë e punë për mua! –u përgjigj ai.

-S’ka asnjë kooperativist që kërkon të largohet. Punon e kryen detyrat që u ngarkohen!

-Ashtu është. Edhe unë jan munduar me mish e me shpirt të kryej detyrën tim. Sa zbardh dita këndoj e ngjir zënë të ngrihen nga gjumi kooperativistët të shkojnë e të fillojnë punën. Ndërsa ata kthen në krahun tjetër e ngrihen nga gjumi kur afrohet dreka. Prandaj s’ka punë për mua. Jam i tepërt, prandaj u lutem shumë më lejoni të largohem!?

I dyti që u paraqit përpara Asamblesë, ishte qeni laraman.

-Pa na thuaj të vërtetën ti, qeni larushi, pse je mërzitur e do të largohesh nga kooperativa? –e pyetën.

-Si të mos dëshpërohem, të mërzitem e të mos kërkoj të largohem! Tërë natën nuk mbyll sy për të ruajtur si sytë e ballit mallin e gjënë e ekonomisë tonë të mos vidhet kot ngjir zënë dhe e bëj gjumin haram. Anëtarët e kooperativës tonë grabitin e vjedhin ditën me diell. Prandaj mundimi e puna ime, si thonë fjalës, shkon për dhjamë qene. Kjo është arsyeja e fortë që më detyron të largohem. Prandaj u bëj rixha e u lutem shumë u lutesh shumë, më lejoni të largohem, pasi jam i tepërt dhe e ha bukën batiava!

Radha për t’u paraqitur përpara Asamblesë, për të treguar arsyet e forta që donte me këmbëngulje të largohej nga kooperativa, i erdhi gomarit,

-Po ti vesh gjatë përse kërkon të ikësh nga kooperativa, në një kohë që ekonomia jonë ka shumë nevojë për kontributin tënd?

-Dua të largohem, pasi vendin tim e ka zënë kryetari. Dhe ju e dini fare mirë në një karrige s’mund të rrinë dy gomarë.