Vasili reagon për ligjin e “Strehimit social”: Rama mbron oligarkët, urren të varfrit

Një ditë pas miratimit të ligjit për “Strehimin social” në Kuvendin e Shqipërisë, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Në një deklaratë për mediat, deputeti i LSI tha se ndonëse opozita dha konsensusin në parim për një ligj të tillë, kaq të rëndësishëm, amendamentet e saj nuk u shqyrtuan.

Vasili akuzon kryeministrin Rama dhe qeverinë që ai drejton se favorizon oligarkët, dhe dëmton qytetarët e varfër.

“Parlamenti miratoi dje ligjin për “strehimin social”, por nuk u shqyrtuan amendimet e opozitës. Këto amendime parashikonin mbrojtjen e qytetarë, por qeveria tregoi sërish qëndrim urryes ndaj të varfërve. Kjo demagogji dhe ky qëndrim i një qeverie që nuk është normale, mbron oligarkët, por dëmton qytetarët.

Kryetari i Kuvendit ligjëroi dje një parlament që ka ikur nga shenjat e parlamentarizmit. Ligji i “Strehimit social”, edhe pse opozita dha konsensusin e saj në parim për t’u bërë një ligj i mirë, u dhunua dje. Në funksion të grabitjes dhe vjedhjes, mazhoranca thyen çdo lloj konsensusi, edhe pse çirret dhe bëjnë sikur duan konsensus. Rama nuk po bën shtet, por po e zhbën shtetin”, u shpreh deputeti Vasili.