Ministri i Jashtëm polak: BE e ka detyrë ta pranojë Shqipërinë

Ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz me 7 maj pritet të vijë në Shqipëri. Polonia njihet si një nga vendet më kritike ndaj politikës së BE-së, por mbështetëse e Shqipërisë. Në një intervistë për ”Gazetën Shqiptare”, ministri i Jashtëm shprehet se BE-ja ka nevojë për reforma. ”BE vuan nga një deficit demokratik. Ne mbështesim rritjen e rolit të parlamenteve ndërkombëtare. Një thellim i mëtejshëm i integrimit evropian është plani i mundshëm për aq sa pranohet nga shtetet dhe popujt që marrin pjesë në këtë proces”, është shprehur Czaputowicz. Ai shton më tej se Komisioni Europian duhet që të ktheher në rolin e tij teknik në vend që të bëjë përpjekje për një politikë më të madhe.

Shkëlqesia juaj, Mirësevini në Shqipëri! Si e shihni marrëdhënien midis dy vendeve tona deri më tani?

Pas rënies së komunizmit në Evropë, ne fituam lirinë për të zhvilluar marrëdhëniet tona dypalëshe. Mund të them me shumë siguri se sot marrëdhëniet tona janë shumë të mira. Që nga viti 2009 jemi aleatë të NATO-s. Polonia e vlerëson angazhimin e Shqipërisë në forcimin e krahut lindor dhe luftën kundër terrorizmit. Ne mbetemi një përkrahës i qëndrueshëm i aspiratave evropiane të Shqipërisë. Prandaj, jemi shumë të kënaqur që muajin e kaluar Komisioni Evropian në Raportin e saj të Progresit ka rekomanduar hapjen e negociatave për pranimin me Shqipërinë. Bashkëpunimi ekonomik bilateral po zhvillohet, gjithashtu, mirë. Më pas këtë muaj do të mbahet në Tiranë edhe Forumi i Tretë i Biznesit Polako-Shqiptar.

Polonia duket shumë e lidhur me Ballkanin. Dëshmi për këtë janë ambasadat tuaja në çdo kryeqytet në Ballkan. Si e shihni në mënyrë specifike rolin e Shqipërisë në Ballkan?

Polonia e vlerëson rolin e Shqipërisë si një vend, i cili në sajë të marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet e rajonit, kontribuon dukshëm në stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Do të doja të theksoja se të dy vendet tona jemi aleatë të NATO-s, që nënkupton bashkëpunim më të ngushtë ushtarak. Kam pasur rastin të flas me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati në takimin e fundit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s të mbajtur më 27 prill në Bruksel. Në takimin tonë, ne vendosëm të mbartnim kapacitetet e NATO-s për mbrojtjen dhe parandalimin, të cilat janë të rëndësishme njësoj për të dyja pjesët e kontinentit: Evropën Qendrore e Lindore dhe Evropën Jugore.

Brukseli ka parashikuar se Ballkani nuk do të bashkohet me Bashkimin Evropian deri në vitin 2025. A e dëmton kjo shpresën e njerëzve që e shohin të ardhmen e tyre të përbashkët në Evropë, sipas konceptit tuaj?

Viti 2025 është i precizuar me të vërtetë në Strategjinë e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor të botuar në shkurt, si një datë dëshmuese për pranimin në BE për më të avancuarit në proces (tani Mali i Zi dhe Serbia) dhe potencialisht edhe vendeve të tjera kandidate. Përcaktimi i një date të caktuar është një shenjë pozitive, sepse e bën perspektivën evropiane të prekshme dhe realiste për opinionin publik. Strategjia parashikon, gjithashtu, fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, e cila duhet të ndodhë prej këtij viti. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë reforma përpara vetes për të realizuar. Përvoja jonë na tregon se në një rast të tillë koha shkon shpejt. Në këtë proces shumë varet nga vendosmëria, megjithatë nuk ka pengesa për Shqipërinë të arrijë me përparësitë e sotme ose t’i kapë ato. Sigurisht që jemi të gatshëm të ofrojmë përvojën tonë në prezantimin e reformave të nevojshme të administratës publike të kërkuara nga Komisioni.

Cilat janë realisht pikëpamjet e Polonisë në lidhje me zgjerimin e Ballkanit në BE?

Polonia e mbështet fuqimisht politikën e derës së hapur të BE-së. Zgjerimi është një nga politikat më të fuqishme dhe më të suksesshme të BE-së. Ai kontribuon në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë kontinentit. Ai inkurajon po ashtu stabilitetin politik afatgjatë, zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në vendet që aspirojnë të bashkohen me BE. Më e rëndësishmja, për mendimin tonë, është fakti që shqiptarët dhe qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë plotësisht të drejtë të zgjedhin rrugën e tyre të zhvillimit. Ata janë evropianë dhe BE-ja ka një detyrim për t’i pranuar këto vende, sigurisht nëse i plotësojnë kriteret e detyrueshme. Zgjerimi ka të bëjë me takime politike të nivelit të lartë, vendosjen e kritereve dhe hapjen e kapitujve. Por, para së gjithash, ka të bëjë edhe me ndryshimin e jetës së njerëzve për pritshmëri më të mira nga reformat, modernizimin, qeverisjen e mirë, afrimin e ekonomive dhe njerëzve.

Ne duhet të gjejmë kriteret se si të zgjedhim një organ ta drejtojë një Evropë Federale”. Juve jeni shprehur hapur, ashtu si në këtë citim, se BE ka nevojë për reforma. A do të thotë kjo se sot Bashkimi Evropian nuk funksionon ashtu siç duhet?

Në të vërtetë, BE kërkon reforma. Bashkimi Evropian vuan nga një deficit demokratik. Ne mbështesim rritjen e rolit të parlamenteve kombëtare. Një thellim i mëtejshëm i integrimit evropian është i mundshëm për aq sa pranohet nga shtetet dhe popujt, që marrin pjesë në këtë proces. Bashkimi Evropian mund të jetë i fortë vetëm falë mbështetjes reale të qytetarëve të saj, të cilët janë në gjendje të japin një mandat demokratik ndaj qeverive të tyre të zgjedhura. Sipas mendimit tonë, Komisioni Evropian duhet të kthehet në rolin e tij teknik në vend që të bëjë përpjekje drejt një politike më të madhe. Roli i Këshillit Evropian, i cili përbëhet nga udhëheqësit shtetërorë të zgjedhur në zgjedhjet demokratike, duhet të jetë vendimtar.

Çështja e reformimit të BE-së është duke u diskutuar mes anëtarëve të saj në ditët e sotme. Ne marrim pjesë aktive në këtë debat dhe paraqesim qëndrimin tonë. Megjithatë, ne jemi të hapur për argumentet e parashtruara nga vendet e tjera. Së bashku ne mund ta reformojmë si duhet BE-në në mënyrë që ajo t’i përshtatet më mirë qytetarëve të saj.

Publiku shqiptar është shumë kurioz për tensionet me Bashkimin Evropian. A mund t’i shpjegoni ato më qartë, ju lutem?

Para së gjithash, më lejoni të theksoj, se Bashkimi Evropian duhet të bazohet në rregulla universale, që zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Ne jemi të shqetësuar se kriteret e paqarta mund të çojnë deri në kufizimin arbitrar të të drejtave të Shteteve Anëtare. Për shkak të shqetësimeve të Komisionit Evropian në lidhje me pavarësinë e sistemit gjyqësor të Polonisë, ajo vendosi të fillojë procedurën e përcaktuar në nenin 7, të Traktatit për Bashkimin Evropian. Në kuadër të dialogut të Polonisë me Komisionin në këtë drejtim, ne e përshkruam qëndrimin tonë në një Letër të Bardhë (Raport autoritativ), në të cilin ne shpjeguam argumentet tona duke shpjeguar edhe domosdoshmërinë e fillimit të reformës së gjyqësorit. Ne mbrojmë të drejtën tonë për të kryer reforma, pasi ky fakt i përgjigjet pritjeve të polakëve të shprehura në zgjedhjet e fundit. Sipas mendimit tonë, ato nuk shkelin parimet e sundimit të ligjit të një shteti demokratik. Përkundrazi, i forcojnë ato. Megjithatë, Polonia mbetet e hapur për një dialog bazuar në meritat me Komisionin Evropian dhe shtetet e tjera anëtare të BE. Ne shkëmbejmë mendime duke shpresuar që do të gjejmë një kompromis.

Pse Polonia nuk dëshiron të presë refugjatë?

Çdokush që shfaqet në kufirin polak ka të drejtën – në përputhje me të drejtën ndërkombëtare – të aplikojë për statusin e refugjatit. Megjithatë ne kundërshtojmë një zhvendosje të detyrueshme të refugjatëve në vendet që ata nuk duan të shkojnë. Problemi është se për shumicën e refugjatëve, Polonia s’përbën vetëm një vend tranzitor: ata preferojnë të shkojnë më tej në vendet e Evropës Perëndimore, ato që kanë standarde më të larta jetese. Sipas mendimit tonë ne duhet të përqendrohemi së pari në shkaqet kryesore të migracionit. Jemi të angazhuar në përpjekjet për mbrojtjen e kufijve dhe të marrim pjesë në iniciativa të tilla si Operacioni Sophia i Bashkimit Evropian në Mesdhe. Rishpërndarja e detyrueshme e migrantëve mund të konsiderohet si një faktor tërheqës që ndihmon për të thelluar krizën. Ne duhet t’ju kujtojmë, gjithashtu, se në Poloni ka mbi një milion ukrainas dhe disa prej tyre vijnë nga rajonet e prekur nga lufta.

Edhe përkundër përpjekjeve tuaja të mira, bashkëpunimi mes dy vendeve tona nuk është i lartë. Ku e shihni interesin real të Polonisë për Shqipërinë në lidhje me ekonominë dhe turizmin?

Sa i përket ekonomisë, pajtohem se qarkullimi tregtar midis Polonisë dhe Shqipërisë, megjithëse në rritje, ende nuk përputhet me potencialin e vendeve tona. Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik u krijua Forumi i Biznesit Polako- Shqiptar. Mbi 130 kompani polake dhe shqiptare morën pjesë në dy takimet e para, duke shoqëruar vizitën e Kryeministrit polak në Tiranë më 2016 dhe vizitën e Kryeministrit shqiptar në Varshavë në 2017. Forumi i ardhshëm do të zhvillohet në Tiranë në këtë muaj. Shpresoj që takime të tilla të shpeshta të sipërmarrësve polakë dhe shqiptarë do të kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve tona.

Unë jam i vetëdijshëm se turizmi është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë. Shqipëria është një vend i bukur dhe polakët e vlerësojnë atë, e cila është konfirmuar nga një numër në rritje i bashkatdhetarëve të mi në mesin e turistëve që vizitojnë vendin tuaj.

Ju jeni një nga ministrat shumë aktivë dhe të respektuar të qeverisë aktuale të Polonisë. Po ashtu jeni i lidhur edhe me artin. Në raportet tuaja flisni shumë qartë dhe disi ashpër. A mund të na e shpjegoni më qartë pikëpamjen tuaj për të ardhmen e Bashkimit Evropian pas Brexit? Çfarë nuk funksionon sipas jush në Ballkan?

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me një sërë sfidash në fusha të ndryshme, të cilat duhet të trajtohen përmes reformave. Nga këndvështrimi ynë, është po aq e rëndësishme që BE të ruajë vullnetin e saj politik për të vazhduar procesin e zgjerimit. Nuk mund të humbasim këtë moment të përsosur. Polonia ka përjetuar, gjithashtu, një proces sfidues të transformimit ekonomik dhe politik – nga komunizmi në demokraci, dhe nga një ekonomi e kontrolluar në një ekonomi të tregut të lirë. Jam shumë i lumtur për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në zbatimin e reformave kyçe të ndërmarra. Ne kemi nevojë për Shqipërinë në BE, pasi me siguri kjo do të pasurojë komunitetin tonë evropian. Dhe sigurisht që do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Britaninë e Madhe pas Brexit edhe pse në një formë tjetër.

Ambasada juaj po punon shumë për të promovuar Poloninë në Shqipëri. Kultura juaj e madhe është shumë e zakonshme në Shqipëri, e përkthyer nga gjuhët origjinale, por edhe nga gjuhët e dyta? A do të vazhdoni të mbështesni kulturën tuaj në Shqipëri?

Lidhjet kulturore midis vendeve tona janë po aq të rëndësishme sa bashkëpunimi në sferën politike dhe ekonomike. Jam shumë i kënaqur që letërsia polake është aq e njohur në Shqipëri, falë përkthyesve të shkëlqyeshëm nga gjuha polake. Dëshiroj të veçoj z. Astrit Beqiraj, i cili e ka konfirmuar veten si një përkthyes i letërsisë bashkëkohore polake. Unë kam qenë me të vërtetë i lumtur të mësoj se në tregun shqiptar të librave në 15 vitet e fundit letërsia polake ka fituar vendin e parë të përfaqësimit sa i përket letërsisë nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Dhe tani, me studimin e gjuhës polake që është rivendosur kohët e fundit në Universitetin e Tiranës, së shpejti do të presim që më shumë lexues të arrijnë tek autorët polakë në versionin origjinal. Do të doja t’ju kujtoja këtu se edhe polakët kanë, gjithashtu, një mundësi për të mësuar gjuhën shqipe në vendin tonë në dy universitete të njohura polake: në Torun dhe Poznań, të cilat e ofrojnë gjuhën shqipe në kurrikulën e tyre.

Çfarë mund të presë publiku shqiptar nga vizita juaj?

Kjo do të konfirmojë se Polonia mbështet aspiratat evropiane të shqiptarëve dhe është gati të ndajë përvojën e saj në lidhje me procesin e përgatitjes në rrugën drejt BE. Nuk mund ta humbasim këtë mundësi për zgjerimin e BE-së. /Gazeta Shqiptare/