Zgjedhjet lokale/ Drejtuesit e PS që dështuan me anëtarësimet e reja

Tabela e performancës, degët e PS me numrin më të ulët dhe të lartë të anëtarësimeve të reja, objektivi parashikon 30 mijë anëtarë të rinj deri në tetor 2018, deri më tani vetëm 2057 pranime të reja

Përpos hapjes së zyrave të bashkëqeverisjes dhe të regjistrimit të anëtarësisë në këtë platformë, Asambleja Kombëtare e PS, në fillim të muajt janar, u la kryetarëve të degëve të PS edhe një detyrë tjetër të rëndësishme, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale. Detyra konsistonte në shtimin e efektivit të Partisë Socialiste me 30 mijë anëtarë të rinj. Ky objektiv duhej të përmbushej në periudhën janar-tetor 2018. Në mbledhjen e radhës së Asamblesë Kombëtare të PS, mbajtur ditën e shtunë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, paraqiti një raport me rezultat e secilës degë sa i takon përqindjes së anëtarësimeve të reja, për periudhën janar-22 prill 2018. Deri në 22 prill 2008 janë bërë vetëm 2057 pranime të reja në PS, shumë larg objektivit. “Realizimi i këtij objektivi i obligon strukturat e partisë që anëtarësimet e reja në parti këtë vit të përbëjnë një nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së tyre që anëtarësimet e reja të bëhen çdo ditë, çdo javë, nga të gjithë dhe kudo, që puna me anëtarësimet e reja të jetë me objektiva konkrete dhe me bilance javore e mujore. Sipas informacioneve të kryetarëve të partisë të 61 bashkive, rezulton se për periudhën janar-22 prill 2018, janë bërë gjithsej 2057 pranime të reja. Në bashkitë Berat, Kuçovë, Skrapar, Vau i Dejës, Blesh dhe Patos rritja e anëtarësisë është 7-10 %, në nivelin e objektivit të përcaktuar. Në bashkitë Has, Lezhë, Mirditë, Bulqizë, Vlorë, Rrogozhinë, Elbasan, Ura Vajgurore dhe Himarë, anëtarësia është rritur me 4-5 %. Në 11 bashkia, rritja e numrit të anëtarësisë është më pak se sa një për qind dhe në 7 bashki nuk është bërë asnjë pranim i ri”, thuhet në raportin e përgatitur nga Taulant Balla.

Dështimi

Në raport identifikohen edhe shkaqet e dështimit në realizimin e objektivit në raport me kohën e përcaktuar. “Vërehet një punë e pamjaftueshme për plotësimin e objektivit të përcaktuar nga axhenda vjetore e partisë dhe numri i anëtarësimeve është larg nga sa duhej të ishte për këtë afat kohor. Kjo vjen sepse për anëtarësimet e reja nuk është bërë një punë e organizuar, vërehet nënvleftësim dhe fushatizëm nga mjaft struktura vendore dhe drejtues të tyre. Në periudhën janar-mars, në 16 bashki nuk është bërë asnjë pranim i ri, nga të cilat bashkitë Shijak, Kamëz, Lushnje, Pustec, Tepelenë, Libohovë dhe Sarandë nuk ka pranime as si katërmujor. Në 17 bashki nuk u bë asnjë pranim për muajin prill”, thuhet në raport.

Kontrolli dhe ndëshkimi

Në Partinë Socialiste ka startuar një proces llogaridhënie, duke përfshirë të gjithë përfaqësuesit e saj në pushtetin qendror, pushtetin lokal dhe drejtuesit e partisë, sidomos kryetarët e degëve. Baza e vlerësimit do të jetë realizimi i disa detyrave dhe objektivave të përcaktuara nga Asambleja Kombëtare e PS në fillim të muajt janar. Vlerësimi i perfomancës për secilin bëhet në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme lokale, por ndoshta edhe për të projektuar një mandat të tretë qeverisës. Në fund të javës së kaluar, Shqiptarja.com publikoi emrat e kryetarëve të degëve të PS, me performancë negative, në raport me procesin e bashkëqeverisjes, duke u bazuar në një dokument-analizë i përgatitur nga koordinatorja e kombëtare e bashkëqeverisjes Elisa Spiropali. Në fund të muajit qershor, do të ketë një vlerësim për kryebashkiakët, krerët e degëve etj., proces i cili pritet të pasohet me shkarkime.

Raporti

“Në periudhën janar-mars, në 16 bashki nuk është bërë asnjë pranim i ri, nga të cilat bashkitë Shijak, Kamëz, Lushnje, Pustec, Tepelenë, Libohovë dhe Sarandë nuk ka pranime as si katërmujor. Në 17 bashki nuk u bë asnjë pranim për muajin prill”.


Objektivi

Asambleja Kombëtare e PS, në fillim të muajt janar u la kryetarëve të degëve të PS një detyrë për shtimin e efektivit të Partisë Socialiste me 30 mijë anëtarë të rinj. Ky objektiv duhet të përmbushet në periudhën janar-tetor 2018.

 

Krerët e degëve të PS me zero anëtarësime të reja

Lindita Buxheli, kryetare e PS Lushnje

Jani Ago, kryetar i PS Pustec

Arben Gumeni, kryetar i PS Tepelenë

Arnisa Ibrahimi, kryetare e PS Libohovë

Jonida Abduli, kryetare e PS Sarandë (e larguar)

Elton Arbana, kryetar i PS Shijak

Dega e Partisë Socialiste Kamëz

 

Krerët e degëve që kanë shtuar anëtarësinë 4-5 %

Mira Dauti, kryetare e PS Has

Eduart Ndreca, kreu i PS në Lezhë,

Pjeter Pjetri, kryetar i PS Mirditë

Lefter Alla, kryetar i PS Bulqizë

Anduel Tahiraj, kryetar i PS Vlorë

Haxhi Memolla, kryetar i PS Rrogozhinë

Ardit Demiri, kryetar i PS Elbasan

Arjan Çepelem, kryetar i PS Ura Vajgurore

Dega e Partisë Socialiste Himarë

 

Krerët e degëve që kanë shtuar anëtarësinë 7-10 %

Valbona Zylyftari, kryetare e PS Berat

Sybi Shehu, kryetar i PS Kuçovë

Edmond Omeri, kryetar i PS Skrapar

Kristian Shkreli, kreu i PS Vau i Dejës

Marenglen Bali, kreu i PS Blesh

Klajdi Alisinani, kreu i PS Patos

 

Krerët e degëve që kanë shtuar anëtarësinë më pak se 1 %

Dhimitër Tolis, kreu i PS në Dropull

Hodjan Selmani, kreu i PS në Këlcyrë

Brunilda Meleqi, kryetare e PS në Delvinë

Eroldi Begolli, kreu i PS në Devoll

Mbarime Isufaj, kreu i PS në Mallakastër

Edurim Teqja, kreu i PS në Peqin

Luan Zaza, kreu i PS në Durrës

Blerina Gjylameti, kryetare e PS në Tiranë në vend të Saimir Tahirit

Agron Ivani, kreu i PS në Kurbin

Agim Maka, kreu i PS në Divjakë

Arvit Osja, kreu i PS në Shkodër

Bashkim Dardha, kreu i PS në Klos

Gëzim Salla, kreu i PS në Cërrik

Lulzim Zaraj, kreu i PS Malësi i Madhe

Lirjan Hyseni, kreu i PS në Kolonjë

 

/shqiptarja.com