Mësuesve do ju ndalohet hyrja në orë të mësimit me celularë

Mësuesve do ju ndalohet hyrja në orë të mësimit me celularë.

E deklaroi ministrja Lindita Nikolla gjatë takimit me qytetarë të Kavajës në kuadër të asaj që qeveria e quajti turi i llogaridhënies publike të qeverisë.

‘Unë jam kokulur në detyrën time si ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë  që ende nuk kemi shkuar në ato standarde që fëmijët tuaj meritojnë për atë që është modeli, shembulli që është mësuesi” u shpreh Nikolla. 

Sa i takon procesit të rekrutimit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” testimi i mësuesve do të bëhet në kompjuter dhe në kohë reale. Çdo mësues që testohet merr përgjigje

Inspektore cdo shkolle

Që me vitin e ardhshëm shkollor premtohet rikthimi i inspektimit në çdo shkollë të Shqipërisë. 

Lindita Nikolla: Që me vitin e ardhshëm shkollor ne rikthejmë inspektimin në çdo shkollë të Shqipërisë. Do të jetë syri monitoruesi i standardeve dhe problematikave, i ngritjes së alarmit, jo kur të ketë mbaruar viti shkollor dhe kur të shohim përmes mediave ndonjë mësues që dhunon apo ndonjë mësues që abuzon me detyrën por do të kemi gjithë informacionin në kohë reale për të ndërhyrë në kohë reale për të gjitha këto problematika

Shqetësim mbeten studentët e mësuesisë

Lindita Nikolla: “Studentët që kanë përfunduar studimet për mësuesi mbesin në numër të lartë në provimin e shtetit. Unë nuk mund të mbyll sytë dhe të bëj sikur nuk shoh kur në provimin e shtetit ngelin edhe 60% e të diplomuarve në fakultetet tona. Mendoni janë studentë që kanë shpenzuar 5 vite nga jeta e tyre për të mbaruar “Bachelor” dhe “Master” në mësuesi, kanë bërë një vit praktikën profesionale dhe vijnë dhe ngelin në provimin e shtetit.”

Bursat për studentët në mësuesi

Për të rritur nivelin e brezave të rinj të mësuesisë është vendosur të rritet nota mesatare 7 për ata maturantë që do të zgjedhin programet e mësuesisë dhe nga ana tjetër do të mbulohen bursat e gjithë maturantëve që zgjedhin mësuesinë me notë mesatare mbi 9, informoi ministria e Arsimit përmes një njoftimi për median.

/Ora News