Buxheti në suficit – Investimet me “pikatore”, më pak kompensim pronarësh

Qeveria shqiptare e mbylli tremujorin e parë të vitit me buxhet në suficit, falë rritjes së të ardhurave dhe ecurisë së ngadaltë realizimit të investimeve publike. Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, suficiti buxhetor u thellua në 5.2 miliardë lekë në fund të marsit, nga 3.2 miliardë që kishte qenë një muaj më parë. Njëlloj si një vit më parë, buxheti po shënon një tepricë të të ardhurave kundrejt shpenzimeve, ndonëse në suficiti është në rënie të lehtë krahasuar me tremujorin e parë 2017.

Siç ndodh zakonisht, ecuria e realizimit të investimeve në tremujorin e parë është mjaft e ngadaltë. Shpenzimet kapitale ishin vetëm 10.3 miliardë lekë, nga 86 miliardë lekë që është vlera e planifikuar vjetore në buxhet. Mosshpërndarja e njëtrajtshme e investimeve gjatë vitit ngelet një problem i buxhetit, siç është nënvizuar në mënyrë të përsëritur nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, një ndikim në mbajtjen e suficitit buxhetor ka dhënë edhe ulja e ndjeshme e shpenzimeve për kompensimin e ish-pronarëve.

Një vit më parë, qeveria kishte shpenzuar mbi dy miliardë lekë që në tremujorin e parë të vitit, ndërsa këtë vit shpenzimet në këtë zë janë vetëm 300 milionë lekë. Ndonëse këtë vit parashikohet një rritje e lehtë në fondin e kompensimit të pronarëve, ecuria është më e ngadaltë. Ndërkohë, zëri i shpenzimeve korrente në tërësi është rritur me rreth 6% krahasuar me vitin e kaluar, sidomos për shkak të rritjes së shpenzimeve për pushtetin vendor dhe shpenzimeve të personelit. Këtë vit, buxheti parashikon një deficit prej 37 miliardë lekësh, që pritet të shpenzohet më tej gjatë viti, çka do të përkthehet në një kontribut më të lartë të sektorit publik në ekonomi.

Të ardhurat totale në buxhet për tremujorin e parë të vitit arritën vlerën e 105 miliardë lekëve, me një ritëm normal rritjeje prej rreth 3.7% krahasuar me një vit më parë. Më shumë para në buxhet ka sjellë tatimi mbi vlerën e shtuar, ai mbi të ardhurat personale dhe akcizat, ndërsa në rënie të ndjeshme për tremujorin janë të ardhurat nga tatim-fitimi.

/SCAN