Lubonja: Kritikët e Bashës s’e kanë kundërshtuar kurrë Berishën. Cilat janë dy problemet e PD

“Çfarë shije la Kuvendi Kombëtar i PD?” Këtë e ka komentuar ditën e sotme analisti Fatos Lubonja, në rubrikën “Opinion” në “News24”. Ai tha se tashmë PD ka dy problematika, njëri që lidhet me replikat lidhur me demokracinë e brendshme, dhe i dyti ka të bëjë me problemin real, po që sipas tij nuk preket nga askush si çështje.

“PD ka dy probleme. Njëri ka të bëjë me konfliktin lidhur me demokracinë e brendshme në parti, ku ka polemika me ish-drejtues në parti. Dihet se kjo është e lidhur me një trashëgimi, me Berishën mbrapa. Problemi i dytë që nuk i qaset kush, që është edhe ai më thelbësor. E rëndësishme për një parti është të mbledhë sa më shumë kontribute njerëzish, dhe t’i përgjigjet situatave. Edhe në këtë Kuvend nuk pati qasje ndaj asaj: “se çfarë do bëhet”. Pra a ka ndonjë reflektim për këtë? Qoftë edhe nga ata që quhen oponentë të Bashës. Edhe ata mbeten te deklaratat, demokratike apo jo, statuti, Basha, etj. Pra nuk diskutohen në thelb problematikat”, u shpreh Lubonja.

Analisti tha se kritikët e kryedemokratit Basha nuk e kanë kundërshtuar kurrë Berishën, pasi atij i kishin dhënë gjithë autoritetin.

“Problemi i demokracisë në një parti është shumë i rëndësishëm. Për mendimin tim është një çështje kulturore që shkon më thellë sesa partitë. Ata që kundërshtojnë Bashën sot, nuk e kanë kundërshtuar kurrë Berishën, pasi ia kishin dhënë atij gjithë autoritetin, përgjegjësinë. Ndërsa tek Basha nuk e ndjejnë këtë. Ndaj Basha duhet të luante për një lloj partie tjetër, me një debat ndryshe. Problemi është se duhet të krijohet një unitet, të ketë besim tek lideri, dhe të zgjidhet kjo situatë. Mendoj se zgjidhja për fat të keq, është e atij që ka shumicën, dhe pak nga pak bëhet figurë autoritare. Një problem tjetër ka të bëjë me të kaluarën e vet, që e ka zgjidhur apo jo. Figura e tij lidhet me të Berishës, ndaj njerëzit thonë ‘pse Berisha do të kthehet prapë’. Por Shqipëria nuk pret, pasi përballet me një qeverisje që ka probleme të thella”, tha analisti Fatos Lubonja.