Rrokaj: Hemoragjia e trurit, rrënimi më i madh që i ndodh një shoqërie

Në një aktivitet për problematikat e Maturës Shtetërore, deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj ju drejtua maturantëve të Tiranës me shifra alarmante. Ai tha se 70% e brezit të tyre kërkojnë të ikin nga vendi, dhe arsyen e kësaj dëshire nga ky numër kaq i madh, deputeti e lidh me qeverinë, për të cilën thotë se nuk ofron shpresë.

Përballë të rinjëve, Rrokaj pohoi se hemoragjia e trurit është kostoja më e madhe dhe rrënimi më i madh që mund ti ndodh një shoqërie.

”Mendoj që gjëja e parë që duhet të bëjmë të gjithë së bashku është të vrasim frikën, sepse ne nuk mund të jetojmë gjithë kohën, duke dëgjuar llafe, llogje pazari mbi atë çka po ndodh sot në Shqipëri. Faktet janë të qarta, Kejdi dhe Nora i thanë, nuk jepet buxheti i duhur për arsimin”,-tha Rrokaj.

Këshilla e deputetit është që rinia ti dalë zot vendit. ”Vlerë më të madhe sesa mund të ketë Shqipëria që nuk mund ta shkëmbejmë me asnjë pasuri sesa jeni ju, Shqipëria nuk mund të ketë. Prandaj bëhuni zot të vendit që jetojmë”.

Fjala e deputetit të LSI-së, Shezai Rrokaj në takimin e organizuar nga LRI me maturantët e Tiranës për Maturën Shtetërore

Natyrisht është emocion i veçantë të jesh me ju, parastudentë, sepse ju bashkë me ne, keni vendosur që të punojmë së bashku për ta ndryshuar Shqipërinë duke qëndruar në Shqipëri. Sepse politikat e kësaj qeverie synojnë të largojnë rininë nga Shqipëria. 70%e  të rinjve kërkojnë të ikin nga Shqipëria. Pse? Sepse Shqipëria dhe qeverisja nuk ofrojnë shpresë. Dhe për mendimin tim, hemoragjia e trurit është kostoja më e madhe dhe rrënimi më i madh që mund ti ndodh një shoqërie. Dhe mendoj që gjëja e parë që duhet të bëjmë të gjithë së bashku është të vrasim frikën, sepse ne nuk mund të jetojmë gjithë kohën, duke dëgjuar llafe, llogje pazari mbi atë çka po ndodh sot në Shqipëri. Faktet janë të qarta, Kejdi dhe Nora i thanë, nuk jepet buxheti i duhur për arsimin.

Të gjitha shoqëritë e zhvilluara sot, e thonë hapur se investimi më i madh që mund të bëj një shoqëri është investimi në burimet njerëzore. Pse? Sepse investimi te burimet njerëzore, që do të thotë te shkollimi, kursen maksimalisht shpenzime të shpërdoruara që mund të bëj shoqëria në të gjithë sektorët e jetës. Ku jemi ne? Ne jemi aty ku bashkë me Partinë Socialiste kur ishim në qeverisje, thamë në strategjinë e arsimit se duhet që qeveria dhe shoqëria shqiptare të shpenzojë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe që në fakt sot mezi mbërrin te 3%. Atëherë faktet janë këtu. Përse qeveria jonë nuk investon atë që duhet të investojë krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit dhe më të gjitha vendet e Europës, ku ne jemi përfshirë në Kartën e Bolonjës.  Ky është një problem shumë i rëndësishëm.

Problemi i dytë që doja të ngrija ishte ndoshta dhe një sugjerim, që të rinjtë e LRI-së të ngrejnë një portal i konsultimit të të rinjve për Maturën Shtetërore, në momentin që ata do të kenë nevojë për plotësimin e formularëve për degët që do të zgjedhin. Dhe ky formular, adresa tu bëhet e ditur nëpërmjet gjithë njerëzve tanë kudo dhe të ngrejmë një ekip që të vijë dhe të jap përgjigjet menjëherë, automatikisht. Në lidhje me arsimin profesional, kalimi në një ministri nuk ka asnjë logjikë dhe nuk ka asnjë perceptim dhe filozofi  mbi bazën e të cilit ngrihet arsimi profesional. Dje kam drejtuar nëpërmjet parlamentit, ministrisë së arsimit, disa pyetje.

Mua më shqetëson se së shpejti me vënien e mesatares 6 dhe 7 për mësuesin, në një zhvillim të arsimit profesional i cili është larg objektivave të strategjisë së arsimit parauniversitar për 2018-2019, ku parashikohej që në 2019 të mbërrinte në shifrën 35% në raport me arsimin e përgjithshëm. Ne jemi te kufiri i 18% 20% që do të thotë, moskalimi i atyre që nuk do të shkojnë në arsimin në universitete ata do të mbeten pa shkollë dhe kjo është një shkelje e hapur e të drejtave të njeriut, sepse në parim çdo diplomë përmbyll një stad dhe mbyll një cikël dhe natyrisht në të drejtat e njeriut hapet një cikël i ri.

Jo vetëm kaq por unë jam i sigurt dhe pyetjet i kam bërë, jam i sigurt që ajo që do të ndodh te ne, është rritja në mënyrë fiktive e 5-së që do të bëhet 6, e 6-shtës  që do të bëhet 7 e kështu me rradhë pra janë mekanizma të ashtuquajtur revolucionarë të cilët stimulojnë në të gjitha rastet fiktivitetin, mashtrimin, blerjen, korrupsionin me notën dhe këtë unë e kam ngritur që kur isha dekan në komisionin parlamentar dhe jam i sigurt që do të ndodh kështu, mjafton që ne të krahasojmë sa vjet kanë mbaruar me notën 6, sa do mbaroj sivjet dhe ju do ta shikoni patjetër që do jenë gjithmonë e më pak sepse nota 6 do të bëhet si në Maqedoni që me 5 ngelesh me 6 kalon.

Unë e pres dhe në një kontekst shqiptar kjo ka për të ndodhur. Lidhur me përkthimin e librave, natyrisht ajo që ndodhi ishte me të vërtetë një mungesë vizioni se o do ta përkthesh setin që nga klasa e parë ose nuk mund të ndërhysh në mes sepse ata që merren me tekste, unë merrem me tekste të arsimit parauniversitar, kam bërë disa tekste, nuk mund të ndërhysh në klasën e nëntë me  një filozofi tjetër deri në klasën e 12. Sepse shkolla jonë është ndërtuar me një koncept.

E dyta duhen përshtatur tekstet, nuk përkthehen fjalë për fjalë. Që të përshtaten do të thotë që mësuesit tanë me përvojën e tyre duhet ti përshtatin këto tekste. Gjë që nuk ka ndodhur te ne, kështu që ju keni shumë të drejtë, por një gjë duhet ta keni parasysh, të gjithë ju bashkë me ne nuk meritoni politikën që bëjmë ne. Vlerë më të madhe sesa mund të ketë Shqipëria që nuk mund ta shkëmbejmë me asnjë pasuri sesa jeni ju, Shqipëria nuk mund të ketë. Prandaj bëhuni zot të vendit që jetojmë!