Agron Duka “ndez motorët” për zgjedhjet lokale 2019: Kemi përgjegjësinë e alternativës

Nga Shkodra, Partia Agrare Ambientaliste, ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale të 2019, në takim me strukturat e kësaj force politike në këtë qark. Agron Duka, kreu i kësaj force politike u shpreh se në këtë moment të vështirë, edhe pse pakënaqësia po artikulohet përherë e më shumë, nëpërmjet protestave dhe vatrave të ndryshme të mosbindjes civile, shqiptarët ndeshen vetëm me indiferencën dhe propagandën që iu serviret nga pushteti.
“Për këtë arsye, është detyra jonë qytetare që të organizohemi, jo vetëm si forcë politike, por si një grupim i hapur ndaj të gjitha atyre shtresave sociale, intelektualëve, shoqërisë civile, botës akademike, të djathtë, të majtë, të pavendosur ose të pa angazhuar, për të thënë se ka një alternativë ndaj krimit, drogës, hajdutëve të veshur me pushtet. Prandaj sot, nisim marshimin tonë të gjatë drejt zgjedhjeve të ardhshme vendore.” – deklaroi Duka nga Shkodra.
Duka u ndal edhe tek Reforma zgjedhore, duke drejtuar edhe një apel Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike:
“Shpreh vullnetin e qartë politik të PAA-së për të marrë pjesë në një garë elektorale që duhet të ketë në themel të saj barazinë e palëve në proces, në një garë elektorale ku konsiderohet e shenjtë vota e çdo shqiptari, në një garë elektorale që përmes rregullave te barabarta, të ndershme e transparente garantohet vota e lirë, e fshehtë dhe e barabartë, në procesin e votimit dhe në procesin e numërimit. Për këtë arsye i bëj thirrje Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, drejtuesve të PD-së dhe PS-së që të përfundojnë këtë reformë në kohë, dhe të mos bëhen pengesë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.”