Kamëz/Policia nxjerr pamjet si u vra babai i 4 fëmijëve (VIDEO)

Dy ditë pas vrasjes së 53-vjeçarit Agim Buci, dhe plagosjen e gruas të të ndjerit, gjatë grabitjes në Kamëz, policia zbardh të plotë ngjarjen. Në një deklaratë për mediat, drejtori i policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj tha se dy autorët e dyshuar të krimit janë: Vladimir Kurti 28-vjeç, Ruzhdi Hode 25-vjeç, të dy banues në Tiranë.

Vladimir Kurti, rezulton të jetë i dënuar më parë për grabitje me dhunë. Pasi ka pranuar krimin përpara grupit hetimor, ai ka rrëfyer edhe vendin ku fshehën armën tip pistoletë pas ngjarjes. Ai ka qenë i dënuar në vitin 2010 me 5 vite burg.

Ai ka shfaqur pendesë dhe përpara grupit hetimor ka qenë i frikësuar dhe në lot. Autori i dytë i arrestuar është identifikuar si Ruzhdi Hoda edhe ai me origjinë nga Burreli, por banues në Kamëz.

Konferenca për shtyp e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Kastriot Skënderaj:

Sot gjatë orëve të para të mëngjesit, Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Hijet” duke zbardhur dhe dokumentuar autorësinë e ngjarjes të ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë në Kamëz, ku gjatë vjedhjes me armë mbeti i vrarë shtetasi Agim Buci dhe u plagos bashkëshortja e tij, Rita Buci.

Operacioni është rezultat i punës profesionale të pandërprerë, duke vlerësuar maksimalisht informacionet e mbledhura si dhe provat e administruara nga grupi i posaçëm hetimor.

Si rezultat i hetimeve të deritanishme, rezulton se autorë të dyshuar kësaj ngjarjeje janë 2 shtetasit: Vladimir Kurti, 28-vjeç, banues në Tiranë. Ruzhdi Hode, 25 vjeç, banues në Tiranë.

Ata ndodhen aktualisht të ndaluar nga policia mbi bazën e urdhërave të dala nga Prokuroria. Nga hetimet rezulton se i dyshuari Vladimir Kurti ka kryer ekzekutimin me armë zjarri të shtetasit Buci dhe plagosjen e bashkëshortes së tij. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti tip “Volklsvagen”, me të cilin autorët kanë shkuar dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes, veshjet dhe dorezat e përdoruara në vendngjarje. Ndërkohë vijojnë kërkimet për gjetjen e provave të tjera materiale.