Zbardhet ngjarja/Tentuan grabitjen e marketit në Kamëz, çifti përleshet me autorët dhe…

Një tentativë grabitje me armë zjarri ka përfunduar me një të vdekur dhe një të plagosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së sotme. Viktima është Agim Buçi 52-vjeç, ndërsa e plagosur është gruaja Merita Buçi 44-vjeçe.

Sipas policisë burrë e grua janë qëlluar me armë nga persona që kanë hyrë në dyqanin e tyre për të grabitur. Policia ka ngritur postblloqe të shumta për kapjen e autorëve.

Çifti kishte një minimarket në rrugën “OSBE” në Kamëz. Në momentin që kanë hasur në kundërshtimin e pronarëve, agresorët janë përleshur. Autorët kanë qëlluar me armë zjarri burrin dhe gruan duke i plagosur rëndë.

Pavarësisht dërgimit me urgjencë në spital, burri nuk ka mundur që të mbijetojë duke humbur jetën, ndërsa gruaja ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga të dhënat e para, mësohet se Merita Buçi ka një plagë në këmbë.