Tituj për lajmet online: Deputeti me dashnore, shikojeni kush është…

Nga: Mentor KIKIA

Një nga pyetjet e studentëve të gazetarisë këtë sezon ishte të gjenin një titull për lajmet në gazetë dhe në media online (portal). Historia ishte një ngjarje reale, fliste për shkatërrimin e një grupi që organizonte prostitucion në Tiranë. Shumica kishin bërë tituj të tillë si: Prostitutat e luksit. Ja sa para duhen për një natë seks…

Po sa? – e pyeta!

Aha, po e thashë në titull unë, se klikon më njeri.

Kishin të drejtë. Në të gjitha mediat online, apo edhe të printuara, titujt e lajmeve gjithnjë e më shumë po “misterizohen”, në emër të joshjes së lexuesve të klikojnë lajmet. Ndaj po sygjeroj ca tituj të gatshëm.

Shpërthen deputeti. Ja çfarë i thotë kryetarit…

Thyhet rrjeti. Ja çfarë ka veshur këngëtarja…

Çmenden fansat. Ja çfarë i ka bërë gjoksit ylli i skenës…

Burri kap gruan me dashnorin. Ja ku e kishte futur kokën…

Dënohet prostituta. Ju kush ishin klientët e mi…

Rrëfehet i penduari. Ja sa para i dhashë ministrit…

Deputeti me dashnore: Shikojeni kush është…(edhe pse ai mund të jetë në Irlandë)

Ministri me makinë të re. Ja sa i kushton vetëm pasqyra…

Ja çfarë thotë këngëtari për tradhtinë e ish gruas…(edhe pse ai mund të thotë: për këtë temë nuk dua të flas).

Nëse ndonjë ditë nuk do të keni ndonjë shkrim të denjë për të hapur gazetën, mund të vendosi këtë titull:

Doni të dini çfarë lajmesh kemi sot? Hapeni gazetën po deshët.