“Shqipëria është pike kyçe stabiliteti ne rajon”

Në kuadrin e vizitës zyrtare në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës,në Strasburg,deputeti i mazhorancës, njëherësh edhe Kryetari i delegacionit shqiptar në PACE,  Ervin Bushati u prit nga nënkryetari i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës, Z. Peter Beyer, me të cilin diskutuan mbi Procesin e Berlinit, një angazhim politik ky i vetë qeverisë dhe mazhorancës gjermane, për të orientuar dhe zhvilluar vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë bisedës, z. Beyer u shpreh se Shqipëria është pike kyçe stabiliteti ne rajon. Ndër të tjera, z. Beyer përmendi faktin që Kancelaria gjermane znj. Angela Merkel është investuar në integrimin dhe zhvillimin e rajonit tonë.

“Problemet dhe ngërçet e të shkuarës duhen parë në optikën e re të bashkëpunimit dhe përfitimit ekonomik të përbashkët reciprok. Kemi kaluar me sukses një fazë të rëndësishme me ftesën e KE për çeljen e negociatave, por bashkë na presin sfida të reja edhe më të mëdha”, – tha nënkryetari i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës, Z. Peter Beyer.

Bushati evidentoi edhe miqësinë e fortë që ekziston mes dy popujve, duke theksuar se udhëheqja e znj. Merkel në proceset demokratizuese dhe zhvilluese në Evropë është investimi i duhur në një të ardhme me të sigurt në kontinentin tonë.

“Modeli ekonomik dhe demokracia liberale që promovon kancelaria znj.Merkel është një kapital, që duhet përkrahur në një botë, që gjithmonë e më shumë duhet të risigurohet për vlerat e shoqërisë sonë perëndimore”, – u shpreh z. Bushati.

Sipas, z. Bushati ky është momenti i Shqipërisë, që bazuar në performancën e saj, në reformën kushtetuese dhe ligjore të marrim vendin tonë në tavolinën e vlerave evropiane të jetës.

Një falënderim të veçantë z. Bushati  e bëri dhe për mundësinë  që qeveria dhe shoqëria gjermane u ka dhënë ndër vite shoqërisë shqiptare, nëpërmjet  investimeve të pashtershme në infrastrukturë dhe teknologji, që ndryshojnë në mënyrë konstante strukturën e ekonomisë së vendit tonë.