Porositësi i vrasjes së Cukut, burimet flasin se fshihet në…

Një vit nga vrasja e ish-kryekomisarit Artan Cuku, policia është në kërkim të paguesit. Pasi ekzekutori Mikel Shallari, pranoi të tregojë kush e pagoi për këtë vrasje, në kërkim është Bledar Jambelli.

Dyshimet e para është se ai fshihet në Spanjë, dhe nga verifikimet e kryera, ”Tv Klan” shkruan se deri para pak javësh ai qëndronte në kryeqytetin spanjoll në Madrid. Për shkak se ai ka ndryshuar herë pas herë vendin e strehimit dhe duke përdorur dokumente të falsifikuara ka mundur t’iu shpëtojë policisë. Në Spanjë ai dyshohet se është ribashkuar me një grup shqiptarësh të përfshirë në trafik droge e vrasje. Këto aktivitetet të paligjshme shkaktuan një luftë mes bandave shqiptare në Spanjë.

Nga këto përplasje në vitin 2006, u vra Seldi Zanaj, në Barcelonë. Për këtë krim u dyshua Sokol Rama. Në shenjë hakmarrjeje me 11 Nëntor 2006, në qendër të Vlorës, u vra oficerja e Marinës, Eleonora Rama 47-vjeçe, nëna e Sokol Ramës.

Tri javë më vonë, pranë Pusit të Mezinit, Bledar Jambelli në bashkëpunim me një person tjetër dyshohet se vrau për llogari të Sokol Ramës, Shpëtim Mukën, daja i vëllezërve Zanaj. Në këtë atentat u plagos edhe nipi tjetër i Mukës, Edvin Zanaj, i cili u vra me 1 Nëntor të vitit 2007, në afërsi të maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë. Edhe në këtë vrasje dyshohet se është përfshirë Jambelli.

Arrestimi i tij, në vitin 2012, nga Policia e Vlorës që drejtohej nga Artan Cuku, mendohet të jetë shkaku që Jambelli porositi vrasjen e Cukut.