Nis edicioni i tretë i “Swing Marathon”, Hemingway bën gati trenin e datës 30 prill

Tak-tak-tak…!

“Swing Lovers”, a jeni gati për kthim në kohë?!

Epo bëhuni gati pra, sepse më datë 30 prill, pikërisht në ditën Ndërkombëtare të Muzikës Jazz rikthehen emocionet e dy ediconeve të mëparshme të “Swing Marathon”. Por, këtë herë edhe më të forta, pasi numri i pjesëmarrësve dhe festa do të jetë më e madhe.

Të veshur me stilin e viteve ‘40-‘50 dhe nën rimet e muzikës jazz, “swing fanatics” do t’ia shtojnë edhe më shumë hijeshinë Shkodrës. Asaj Shkodre mbushur me drandofille pranvere dhe me rrugicat përplot aromë qytetarie.

12 orë muzikë, udhëtim, ngjyra dhe shumë dashuri, “Swing Marathon” është një ngjarje unike, e cila këtë herë vjen në edicionin e tretë të saj, organizuar po nga “Hemingway Fan Club Albania”.

Me pjesëmarrjen e prej më shumë se 1000 njerëzve,  kjo ngjarje kulturore që nis në Tiranë dhe stacionohet në Shkodër do të kulmojë bash në zemër të Pijacës, përballë Kafes së Madhe.

Ky udhëtim fantastik nis me tren dhe 22 artistë italianë do të luajnë gjatë gjithë kohëzgjatjes së udhëtimit. Pjesëmarrësit që do t’i japin bekimin startit të kësaj maratone do të jenë mbi 500 vetë dhe për katër orë me radhë ky tren do t’i argëtojë ata, duke u kthyer në një “skenë” muzikore deri në mbërritjen e tij në Shkodër.

Sikurse rituali i vitit të kaluar, në stacionin e trenit Shkodër do të jenë të tjerë “swing lovers” që do të mirëpresin të ardhurit nga Tirana e kështu do të vazhdojë drejt rrugicave të vjetra udhëtimi me biçikleta. Muzika ndërkohë nuk do të ndalë asnjë minut, por do të vazhdojë të kumbojë nëpër Pedonalen e qytetit.

Ndalesa e fundit e këtij udhëtimi do të jetë Teatri “Migjeni”, ku 22 artistët e ardhur posaçërisht për eventin do të luajnë të shoqëruar edhe nga disa çifte kërcimtarësh, të cilët njëherësh do të ftojnë audiencën për t’u argëtuar me ta.

Protagonistët e kësaj maratone janë:

-Maniakët e “Swing All Stars” me Michael Supnik, Vincenzo Barbato, Francesca Faro, Fabiano Pellini, Alberto Botta, Carlo Ficini, Peter Salvia, Guido Giacomini, etj..

-“Blue Dolls”, Erika Celesti, Federica Pallante, Viviana Dragani. “Blue Dolls” vijnë të shoqëruara nga Paolo Volante, Marco Parodi, Riccardo Vigor dhe Luca Rigazio.

-Aranzhimet vokale nga Roberto Andriollo, Marco Parodi, kitarist i grupit, etj..

– “Retromarching band”, Christian Rossi, Enrico Farnedi, Marco Pretolani, Carlo Corzani, Giuseppe Satanassi, Fabio Tozzi.

– Ghiaccioli e Branzini Djset, pas këtij emri kurioz gjendet producenti dhe DJ Marco Dalmasso.

Sa nuk jeni vonë… ju njoftojmë që për bileta mund të kontaktoni në adresën e mëposhtme:

“Hemingway Fun Club”, Rruga “Kont Urani”, Tiranë 1001.  

/Burimi: Albina Gjergji  – Vox Albaniae/