Zv.ministri i Brendshëm sqaron vettingun: Procesi nuk synon pastrimin, por vlerësimin e policisë

Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, ka shpjeguar ecurinë e procesit të vettingut në Polici, i cili ka nisur prej afro dy javësh. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Hodaj iu dha përgjigje disa prej shqetësimeve të ngritura nga punonjësit e Policisë, kryesisht me plotësimin e dokumenteve për formularët dhe kostot financiare për vërtetimet që kanë marrë në disa banka.

Sipas tij, është ndeshur një problem i tillë në një bankë, pasi në të tjerat vlera ka qenë minimale dhe pasi është biseduar me përfaqësuesit e bankave është rënë dakord që duke nisur nga dje, ky shërbim do të jetë pa kosto.

Zv.ministri Hodaj sqaroi se formularët e vettingut nuk ka nevojë që të kenë edhe dokumente shoqëruese, pasi plotësimi është deklarativ dhe bëhet online.

Sakaq, ai ka theksuar se vettingu në polici synon vlerësimin e pjesës së shëndoshë të sistemit.

“Ky nuk është proces që synon pastrimin, por vlerësimin e pjesës së shëndoshë të policisë. Komisionet e vlerësimit do të ndjekin procedurat e procesit që ka 6 hapa. Merren të dhëna nga institucionet e specializuara. Merren të dhëna edhe nga publiku. Dhe mbi bazën e këtyre të dhënave fillon edhe një vlerësim. Vettingu vlen për t’i rikthyer dinjitetin policisë, që ndonjëherë nëpërkëmbet. Kush e meriton të largohet, për nepotizëm, apo abuzim me detyrën, do të largohet. Të gjithë do të jenë shumë të lumtur me përfundimin e këtij procesi.

Ne mendojmë se procesi i parë do të mbarojë në nivelin e 5 muajve nga koha kur do të fillojë puna. Komisioni nuk është ngritur ende sa të plotësohen vakancat, por besojmë se do të ngrihet brenda muajit. Ndërsa i gjithë procesi parashikohet të përfundojnë brenda 2 vjetësh”, u shpreh zv.ministri Hodaj.

Ai tha se komisionet e vlerësimit do të marrin parasysh edhe të ardhurat nga emigracioni, apo rastet kur familjarët e këtyre punonjësve të policisë kanë punuar në të zezë.

“Fenomeni i punës në të zezë është i njohur në Shqipëri. Deklarimi duhet të bëhet i plotë, dhe komisioni do t’i marrë parasysh”, sqaroi Hodaj.