Ish-ministrja: Rama ka shumë gjynahe për integrimin

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, deputete e LSI-së, tha në studion e Syri.net se Kryeministri Edi Rama ka në kurriz shumë gjynahe lidhur me marrjen e integrimin evropian.

Gjosha theksoi se Rama gjatë kohës që ishte në opozitë bllokoi miratimin e 3 ligjeve, gjë që shtyu procesin me të paktën 1 vit dhe më pas u deshën edhe 4 vite për të zvarritur procesin dhe sot jemi në këtë pikë ku ndodhemi sot.

“Unë shpresoj që politika të kuptojë që integrimi nuk është për politikën, por për qytetarët. Kur politika të kuptojë këtë, procesi do të ecë më shpejtë dhe do të bëhen hapa të mëdhenj përpara”, tha Gjosha.

E pyetur se çfarë ndodh pas hapjes së negociatave, Gjosha tha se ky është fillimi i një rruge të gjatë dhe të vështirë.

“Ne flasim ende për 5 prioritetet kyçe tani, por momenti i çeljes së negociatave hap një kriter të ri për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Nuk është folur shumë për kriterin ekonomik, do të ketë një diskutim për Euron, duam ne të jemi pjesë e eurozonës, apo do të përdorim lekun vendas, pra monedhën shqiptare.

Do të varet procesi nga përafrimi i legjislacionit dhe nëse do të çeli sot negociatat, Shqipërisë do t’i duhet minimalisht edhe një 10 vjeçar”, tha Gjosha.

Sipas saj, nëse Shqipëria do të kishte një shans për 2025, Komisioni Europian do e citonte diku këtë shans, por ne e kemi humbur trenin për këtë vit.

“2025 për Shqipërinë është një datë e humbur, por duhet të punojmë për datën më të afërt pas kësaj”, tha Gjosha.