Gjosha: Hapja e negociatave, ja me çfarë do të përballet Rama në Gjermani…

Klajda Gjosha, deputete e LSI-së, tha në studion e Syri.net shanset që Këshilli Europian të miratojë hapjen e negociatave me BE varen tërësisht nga Shqipëria.

Gjosha tha se vendimi do të varet nga ajo që Qeveria shqiptare do të ofrojë në tryezën e kancelarive evropiane, nga vazhdimësia e reformave, rezultatet në procesin e vetingut dhe rezultatet e mundshme ndaj 5 prioriteteve.

“Ka një kusht të fshehur, që mund të përdoret nga vendet skeptike. Kërkon shumë punë, seriozitet, nuk kërkon retorikë apo polemika të politikës së brendshme, veçanërisht ndaj një prej deputetëve më të njohur të Bundestagut, si në rastin e z. Krichbaun”, tha Gjosha.

Sipas ish-ministres së Integrimit, gjithçka do të varet nga ajo çka do të ofrojë Qeveria, përmbushja e kritereve dhe kushteve.

“Uroj shumë që qershori të jetë pozitiv, që shqiptarëve t’i jepet një shpresë që Shqipëria do të bëhet edhe nën mbikëqyrjen e BE-së. Proçesi i zgjerimit ka pësuar një zvarritje jo për faj të BE-së, por edhe të politikës shqiptare”, tha Gjosha, duke shtuar se ajo çka ndodhur më parë me Kroacinë, Rumaninë apo Bullgarinë, i ka dhënë një mësim edhe Komisionit Europian.

“Uroj që qershori të jetë pozitiv, shpresoj që qershori të jetë një dritë jeshile për këtë proces. Megjithatë ka diçka, besoj se Edi Rama do e kuptojë kur të bëjë takimin në bundestag me z. Krichbaun kur të përballet me pyetjen sa grupe kriminale ka Shqipëria dhe sa prej tyre janë të çmontuara, sa prej aseteve kriminale janë sekuestruar, sa politikanë të korruptuar janë arrestuar, dhe për fat të keq Rama shkon vetëm me retorikë”, tha Gjosha.

Sipas saj, Gjermania e quan vetingun të suksesshëm kur dosja e një gjyqtari është hapur ka shkuar për gjykim dhe vendimi do të thoshte që gjyqtari do të ishte pjesë apo jo e sistemit.

“Kjo është kërkesë që i bëhej prej vitesh Shqipërisë, Europa nuk pret retotikën, por rezultatet dhe ky është rezultati. Shumë nga gjyqtarët që janë larguar, kanë dalë në pension”, tha Gjosha.