Rrokaj: Kryeministri ka shumë fytyra, i ndërron ato sipas interesit politik

Politika e kryeministrit Edi Rama është një politikë që nuk ka ditur kurrë të bëjë politikë për qytetarët e vet, por që gjithë kohën ka bërë luftë për ‘kauza shumë të mëdha’, merret me Globin, me Rajonin, për Korenë e Veriut, për zgjedhjet presidenciale në SHBA
Deputeti i LSI-së Prof. Dr. Shezai Rrokaj, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se opozita nuk e beson kryeministrin Rama se ai ka vullnet politik për të bashkëpunuar me Opozitën për hapjen e negociatave, pasi Rama ka shumë fytyra, ndërkohë, që fytyra e vërtetë e tij është Rama I i 2012-s, kur bllokoi procesin e integrimit me mosvotimin e 3 ligjeve.
– Prof. Rrokaj, kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria i ka kryer detyrat e integrimit, për të merituar hapjen e negociatave. Cili është vlerësimi juaj?
– Lajmi për rekomandimin e KE-së për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është arritje shumë e madhe e të gjithë shqiptarëve, e gjithë asaj përmbysjeje të madhe që ka ndodhur në këto 3 dekada, në përmirësimin e institucioneve shqiptare dhe të përshtatjes të legjislacionit tonë me legjislacionin e vendeve demokratike. Është merita e popullit shqiptar, sepse populli ynë është evropianizuar është integruar më përpara, sesa klasa politike shqiptare. Ndërsa kryeministri Rama, donte të thoshte që vetë PS-ja dhe kryeministri i saj në vetë të parë, ishin kontributorët e kësaj merite.
– Mos vallë, Rama më shumë do t’i thotë Opozitës, se akuzat tuaja për korrupsion, inkriminim etj, nuk qëndrojnë, derisa ia arritëm të na rekomandojë KE-ja hapjen e negociatave?
– Të përmendim kushtet që BE ka vënë ndaj Shqipërisë. Reformën në drejtësi, opozita e votoi në parlament, vetingun. Kushti i dytë është reforma në administratën e shtetit, tjetër është zhvillimi ekonomik, që të garantojë punësimin dhe të mos e shndërrojë Shqipërinë në vend azilant, reformat në drejtim të të drejtave të Njeriut, të drejtën e protestës, luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit. Kryeministri mund të mburret sa të dojë, por ai e di që edhe vetë Rama e di, që ky rekomandim për hapjen e negociatave iu dha më shumë shqiptarëve, sesa klasës politike, sidomos qeverisë, se ka kryer reformat e integrimit. Po t’i analizojmë këto reforma, p.sh lufta kundër kanabisit dhe krimit të organizuar, kryeministri Rama nuk mund të pohojë dot që ky nuk është më problem nga organizmat ndërkombëtare, derisa DASH, OKB e cilësojnë Shqipërinë si vend prodhues të kanabisit dhe Shqipërinë si korridor të trafikimit ndërkombëtar të drogave të forta. Sado është bërë, ende krimi i organizuar mban lidhje të forta me shtetin tonë. Votimi i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme me 69 vota, pa opozitën, po kështu qëndrimi i saj ndaj Saimir Tahirit dhe ndaj disa grupeve kriminale në Elbasan etj., u tregua, që kjo prokurori, në vend që ta luftojë ballas krimin dhe drogën, ka marrë një rol politik, luftën kundër opozitës. Nuk kemi ndonjë qëndrim të drejtë të drejtësisë ndaj shkelësit të ligjit.
– Ju si e konceptoni dorën e shtrirë të kryeministrit Rama për bashkëpunim me opozitën, për të mirën e hapjes së negociatave?
– Dora e shtrirë nga kryeministri, nuk mjafton me fjalë, sepse kryeministri është orator e demagog. Dora e shtrirë do të thotë, që ai nuk ka më punë me opozitën, por me shqiptarët, për një mirëqeverisje. Të largohet nga keqqeverisja. Por ai e bën sa për sy e faqe…
– Mos vallë kryeministri Rama, do vërtet, që kësaj here, të bashkëpunojë me opozitën?
– Për mendimin tonë është një show mediatik, sepse shtrirja e dorës bëhet me veprime konkrete, jo me falë ere.
– Kur opozita deklaron, se mazhorancës do t’i japë kohë deri në qershor, çfarë duhet të kuptojmë ne?
– Dhënia e kohës ka të bëjë me veprime konkrete që duhet të ndërmarrë mazhoranca. Drejtësia reformohet për të gjitha, pa dallim dhe jo të mbetet peng dhe privilegj te pushteti ekzekutiv. Të ndërmarrë reforma më të qarta kundër varfërisë. t’u japë shpresë shqiptarëve që të mos largohen nga vendi. Shteti duhet të luftojë pa kompromis krimin dhe kanabizimin. Tani ndodh që të burgosen disa fukarenj kuksianë, pse protestuan për pamundësinë për të paguar tarifat e Rrugës së Kombit, ndërkohë që është shumë e rëndë, gjendja reale kur kishim drejtorë të komisariateve të policisë, ministra, që bashkëpunonin me kultivuesit e kanabisit. Kryeministri Rama duhet të vendosë dialogun politik mbi baza të vërteta. Opozita asnjëherë nuk ka qenë bllokuese e integrimit.
– Ku ndryshon Edi Rama si kryeministër në 2018, që kërkon bashkëpunim me opozitën, nga Edi Rama si kryetar i Opozitës në 2012, kur bllokoi 3 ligjet e marrjes së statusit Kandidat nga Shqipëria?
– Ai ka si ideologji të vetën: ‘Ju bëni si them unë dhe unë do bëj si dua unë’. Edi Rama dhe PS-ja në 2012-n bllokuan integrimin për interesa partiake. Kryeministri Rama është me dy standarde moralë. Një moral kur është në pushtet kërkon që “bëni si dua unë” dhe, kur nuk është në pushtet: “unë bëj si dua vetë”. E drejta duhet të jetë në union me dëshirën ku duan të shkojnë shqiptarët dhe jo të bëhet çfarë do kryeministri.
– A nuk është absurd që një deputet të futet në parlamentin tonë, kur, ndërkohë DASH i ka ndaluar hyrjen në SHBA, për shkak të korrupsionit?
– Problematika qëndron tek ne. Politika e kryeministrit Rama është një politikë që nuk ka ditur kurrë të bëjë politikë për qytetarët e vet, por që gjithë kohën ka bërë luftë për ‘kauza shumë të mëdha’, merret me Globin, me Rajonin, për Korenë e Veriut, për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Kjo politikë përkujdeset më shumë të bëjë servilizma, të bëjë ‘bela figura’ në arenën ndërkombëtare, ndërsa rasti i deputetit që përmendët, duhet të kishte marrë përgjigje, jo nga politika shqiptare, i takon drejtësisë shqiptare që bëjë të qartë staturën e kësaj figure politike.
– Mos vallë është më mirë, për të mirën e procesit të integrimit, që Shqipëria të hapë e të pranohet në BE, pa u realizuar reformat, sepse kështu do të ketë nga BE-ja monitorim më të ngushtë?
– Qëndrimi i LSI është në sintoni me gjithë qëndrimin opozitar në dy drejtime: E para, hapja e negociatave është një arritje e madhe e shqiptarëve. BE-ja u dha shqiptarëve mundësinë të integrohen, dhe, nga ana tjetër, është një mënyrë që krahas opozitës, të ketë monitorim më të madh nga Bashkimi Evropian ndaj mazhorancës, ndaj qeverisë.
– Kryeministri Rama kujt iu drejtua kur deklaroi se në Gjermani ka politikanë që bashkëpunojnë me PD-në kundër integrimit të Shqipërisë?
– Kjo qëndron në fantazitë e armiqve të partisë. Të mentalitetin e të keqes së armiqve të brendshëm. Nuk është kjo mundësia dhe mendësia që do të na integrojë në BE. E vetmja mundësi është që të ulim kokën dhe të gjejmë bashkëpunimin me opozitën dhe të ndreqim problemet e shqiptarëve. Pra, t’i lemë historitë me armiq. Kryeministri të heqë dorë nga bllokimi i ekraneve të TV-ve.
– Prof. Shezaj, marrim një skenar ekstrem. Nëse BE-ja në qershor nuk hap negociatat me Shqipërinë për anëtarësim, a duhet patjetër, të zhvillohen zgjedhje të parakohshme?
– Unë them që gjëja e parë është se, nëse nuk hapen negociatat, kryeministri Rama duhet të dorëhiqet dhe duhet të krijohet një qeveri, që t’i udhëheqë shqiptarët drejt një qeverie të përbashkët.