Policët kërkojnë më shumë kohë për vettingun, Hoxha: Afati 30 ditor, jashtë mundësive reale

Shoqata e Policëve në Lirim ashtu si Sindikata e Policisë thotë se koha e lënë në dispozicion për të dorëzuar tre formularët për vlerësimin kalimtar të punonjësve të policisë së shtetit është e pamjaftueshme.

Sekretari i shoqatës, Arjan Hoxha, në një intervistë për Ora News thotë se kërkesat janë tepër të larta dhe efektivët nuk kanë njohuritë juridike, ekonomike por as kohën fizike për ti përmbyllur brenda afatit 30 ditor.

Hoxha: Ky afat është jashtë të gjitha mundësive reale objektive për të përmbushur të gjitha kërkesat që janë tepër të larta, duan njohuri të thelluara juridike gjë të cilat nuk i ka organizata e policisë.Gjyqtarëve dhe prokurorëve u është lënë një afat i mjaftueshëm thuajse 3 mujor, ndërsa punonjësve të policisë jo. Koha është e pamjaftueshme. Pa hyrë në problematikat që kanë komisionet e ngritura që në opinionin tim janë të ndikuara politikisht.

Hoxha thotë se edhe ekonomisht është e pa përballueshme për shumë prej efektivëve.

Hoxha: Edhe shpenzimet, jo çdo punonjës policie i ka mundësitë që ti kryejë brenda këtij limiti kohor.

Rezerva ka edhe për procesin në terësi, duke ndarë bindjen se vettingu do të përdoret politikisht.

Hoxha: Policia e Shtetit është në vetting që nga krijimi i saj. Brenda policisë kemi SHÇBA që monitoron punën e çdo punonjësi policie në vijimësi. Janë ballafaquar gjithmonë me ligjin dhe sanksionet ligjore. Vettingu për punonjësit  e policisë është një proces që do të përdoret më shumë politikisht. Komisione të caktuara janë në drejtim politik të Ministrisë së Brendshme, kontrolli vertikal dhe horizontal që u bëhet dhe përbërja e tyre është politike, drejtohen nga zëvendës/ministri i Brendshëm dhe drejtues të tjerë të lartë politik.

Sindikata e Policisë i ka dërguar një letër drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut dhe Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj të shtyjë edhe me një muaj afatin e dorëzimit të tre formularëve për vlerësimin kalimtar të punonjësve të policisë së shtetit.

Në letrën që mban datën 19 prill siguruar nga gazetari i Ora News, thuhet se koha e lënë në dispozicion ka qenë e pamjaftueshme për të siguruar dokumentacionin e plotë për të përmbushur 11 kërkesat e deklarimit të pasurisë.

11 mijë punonjës policie duhet të realizojnë këtë detyrim brenda 30 ditëve.