Piktori shkrodran Gjovalin Paci sjell në tablo “Skënderbeun” legjendar

Nga Albert Vataj

Ai gjithnjë ka ditur të heshtë, të ikë nga potera metropolitane dhe të rikthehet atëherë kur vërtetë ka diçka për të thënë, diçka të tjetërqyshtë për të kumtuar. Pas një mungimi 6-vjeçar, Gjovalin Paci rivjen për artdashësit kryeqytetas me një tjetër sfidë personale. Një tjetër ballafaqim vlerash dhe spikatjesh estetike, qasjesh novatore dhe prurjesh të ndryshta komunikimi. Të tilla, më shumë se përfaqësuese të vetë stilit të piktorit, mëtuese të një këndshikimi që tejkalon gjithçfarë është rrekur të na sjellin në kohëpaskohje krijues të ndryshëm, figurën e Skënderbeut.

“Skënderbeu” titullohet ekspozita me punë të teknikave të ndryshme, të cilat i dedikohen Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky puls i ritmit kultural të metropolit shqiptar gjallëron në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, në këtë ekspozitë u shpërfaqën mbi 80 punë, të gjitha të realizuara në disa teknika, në situata dhe periudha të ndryshme të jetës së tij.

I janë dashur 6 vite angazhim, tendosje situatash përfytyruese dhe modelimesh, punë kohëgjatë dhe sfide ngadhënjyese për të sjellë të plotë në telajo figurën shumëdimensionale të Skënderbeut, për të ribërë që nga fillesë deri në amshim këtë emblemë.

Image may contain: 6 people, including Rezarta Reci, people smiling, people standing

Në 80 kuadro në akrilik të pjekur e teknikë mikse, Gjovalin Paci sjell pas shumë vitesh mungesë ekspozitën e tij vetjake, ku në çdo kuadro dallohen dy antitezat: nga njëra anë figura hijerëndë e heroit kombëtar e nga ana tjetër eleganca e finesa, me të cilën është realizuar çdo punë.

“E para është çështje reflektimi. E dyta, sepse e kam mbyllur me Skënderbeun në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe po e rihap me Skënderbeun pas 6 vitesh të tjera. Ekspozita në fakt është ndërtuar mbi legjendat që ne njohim që fëmijë prej gjyshërve dhe gjysheve, i rritur me letërsinë nëpërmjet Kadaresë, Barletit, apo Schmidit”, është shprehur për Top Channel, Paci.

E kuqja dhe e zeza fshehin në telajo simbolikën e fortë të piktorit. E zeza përfaqëson 550 vite që Skënderbeu nuk është më mes nesh, ndërsa ngjyrat e tjera tregojnë arritjet e dështimet e heroit tonë kombëtar.

“Skënderbeu në fakt është një nga njerëzit tanë më të mëdhenj. Ka një lloj tisi, një lloj perdeje në njohjen e tij. Ka shumë diskutime. Është një figurë komplekse. Unë jam munduar ta trajtoj si bashkëkohës të mbretërve, të krajlve. Ai s’ka qenë vetëm një strateg, por edhe ushtarak i marrëdhënieve me jashtë. Skënderbeun jam munduar ta sjell si një njeri në tokë, jo vetëm si hero kombëtar”, ka nënvizuarai.

Piktori shkodran risjell pas 4 vitesh figurën e Skënderbeut, më shumë se në një vit mbarëkombëtar për nderë të Heroit, me një galeri më të plotë, me një përfaqësim më dinjitoz të kësaj figurë të rëndësishme të Historisë së Shqipërisë. Siç edhe është shprehur jetësimi i heroit ka ardhur, duke cekur në njohjen legjendare dhe epikën ku kujtesa e brezave e ka lartësuar qëndresën e tij ndaj turqve dhe murëmbrojtjën që ai i bëri civilizimit europian. Por, përmes toneve dhe ngjyrave më të errëta, më të ftohta, si pa një tisi, ai përpiqet të tregoi tokësoren e asaj legjende, atë të debatueshmen. Kjo ndoshta jo dhe aq si nevojë për ta parë ndryshe se sa për ta pranuar si të tillë, dhe ai i beson artit atë kurajë që tjetërkund ka hasur qëndresë marroke nacionalizmash shterpë. Gjithçka që Paci ruan në njohjen e këtij dimensioni historik është e gërshetuar në ngjizjen estetike që rifiton të tjera shprehi, të tjera trajta, tjetër energji potencialisht nxitëse për ta rivitalizuar dhe për ta rivendosur edhe sot të atillë, siç Skënderbeu udhëtoi në kohë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vjen përmes një trajtese artistike shumë unike, siç është vetë piktura e Gjovalin Pacit, siç vijon të mbetet ajo, përfaqësuese dhe e vetvetishme.