La futbollin nga problemet në zemër, jeta e re e Sinan Bytyqit

Shtator i vitit 2014. Manchester City do të luajë një ndeshje të Kupës së Ligës dhe Nastasic sëmuret pak orë para takimit. Duhet një zëvendësues dhe Patrick Vieira, trajner i skuadrës së dytë, rekomandon që të grumbullohet një 19-vjeçar i cili ka luajtur shumë mirë në javët e fundit. Bëhet fjalë për Sinan Bytyqin, i cili thërritet me urgjencë për t’u ulur në stol në fitoren 7-0 të City-t ndaj Sheffield. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që kosovari u grumbullua me Manchester City-n.

Përpara disa muajsh e diagnostikuan me një miokardiopati hipertrofike, një sëmundje e zemrës që shkakton zmadhim të një pjese të mureve të muskujve të saj, duke shkaktuar aritmi. I thanë se nëse do të vazhdonte të luante futboll, kishte 4% rrezik vdekjeje. Kështu, Sinan Bytyqi u detyrua të varte këpucët në gozhdë në moshën 22-vjeçare

Në një intervistë për Marca, ish-futbollisti tregon jetën e tij të re.

“Merrem me lojtarët që Manchester City ka huazuar nëpër botë. Jemi një skuadër prej 6 personash dhe detyra ime është ajo e vëzhgimit. Unë i mbështes, i ndihmoj dhe në fund bëj një raport për paraqitjen e tyre në fushë”, thotë Bytyqi.

22-vjeçari ka pasur fatin të jetë për një muaj nën urdhrat e Pep Guardiolës. Ai e kujton kështu atë periudhë: “Ishte fazë përgatitore dhe kam mësuar më shumë në atë muaj sesa në të gjithë karrierën time. Kur të vinte një pasim, Guardiola të thonte si duhej të ndaloje topin dhe të paraqiste situata të ndryshme loje në varësi të ndalimit të topit. Kjo nuk ndodh me trajnerët e tjerë”.