INTERVISTA/ Çyrbja: Mbijetojmë nëse japim maksimumin, të ardhmen e vendos…

Intervistoi: Rozalb Lika

Një kapiten e njeh anijen e tij me pëllëmbë,dhe përpiqet që ta shpëtojë atë. Një situatë të ngjashme po përjeton edhe lideri i skuadrës së Teutës, Arbër Çyrbja, i cili së bashku me shokët e skuadrës kanë arritur që ta nxjerrin “anijen” e tyre nga fundi ku ishin zhytur disa javë më parë. 3 fitore dhe dy barazime në 5 ndeshjet e fundit, kanë bërë që durrsakët të jenë në kuotë të njëjtë pikësh me Vllazninë, 33 të tillë, por sërish në vendin e parafundit. Çyrbja në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” është shprehur se për momentin është i përqendruar vetëm te ndeshjet e fundit të këtij sezoni, ndërkohë që e pranon se me Flamurtarin në duelin e radhës nuk do të jetë aspak e lehtë, edhe pse vlonjatet po kalojnë momentin më delikat të kampionatit. I pyetur për të ardhmen e tij, 24-vjeçari i talentuar nuk e fsheh se ka pasur oferta edhe nga jashtë, por për momentin nuk ka vendosur ende.

Teuta po kalon një moment shumë të mirë në javët e fundit, besoni se do të arrini që të dilni nga zona e mbijetesës?

Po, është e vërtetë që po kalojmë një moment të mirë në kampionat. Tani kemi ndeshjen e radhës dhe shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv. Besoj se nëse do të japim maksimumin në çdo ndeshje, mund t’ia dalim për të mbijetuar.

Mendoni se fakti që Flamurtari po kalon një moment të vështirë pas largimit të Duros, do të jetë një faktor ndihmës në këtë ndeshje?

Nuk besoj se do të ndikojë, sepse ata do të marrin një trajner tjetër. Mendoj se ky ndryshim mund të ndikojë si për mirë, ashtu edhe për keq. Gjithsesi ne do të japim maksimumin tonë. Nëse do të japim më të mirën tonë, do të dalim me një rezultat pozitiv nga ndeshja në Vlorë.

Cili është sekreti i rezultateve pozitive në javët e fundit, dhe kë shikoni si rival më të fortë në garën për mbijetesë Kamzën apo Vllazninë?

Skuadra ka arritur një formë të mirë, por e mira nuk ka fund. Besoj se të dyja skuadrat tona rivale janë njëlloj. Me Vllazninë jemi me pikë të barabarta, ndërkohë që Kamza ka një pikë më shumë. Ndaj janë njëlloj dhe e rëndësishme për ne është që të qëndrojmë në Superligë.

Abazaj ka zyrtarizuar së fundmi transferimin te Anderlehti, a mendoni se Superliga tashmë mund të jetë një trampolinë edhe për të kaluar në kampionate më të forta?

Mendoj se Superliga shqiptare ka qenë e tillë, sepse shumë lojtarë janë shitur edhe më parë jashtë vendit.

Juve a keni pasur propozime nga jashtë vendit, ose nga ekipe të Superligës së fundmi?

Po, kam pasur. Për momentin po mendoj që ta mbyll me sukses këtë sezon me Teutën, dhe që të sigurojmë qëndrimin në Superligë. Më pas do të bisedoj me presidentin dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë.

A mund të zbulosh pak më shumë, të paktën nga cilët vende?

Të mbaroj njëherë kampionati, pasi ka edhe një muaj. Besoj se më pas do ta marrin vesh të gjithë se çfarë do të bëhet.

Një nga synimet e mëdha tuaja është edhe Kombëtarja si çdo lojtar me talent, a keni pasur kontakte me Panuçin?

Në qoftë se do të shkoj në një tjetër klub më të madh se Teuta, atëherë do të shpresoja. Tani për momentin jo. Kombëtarja është një ëndërr për çdo lojtarë, jo vetëm për mua.