Fatos Lubonja: Brukseli na serviri një raport të rremë

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Nga Fatos Lubonja.

Para disa ditësh, mediet tona u përmbytën nga raporti i organizatës “Freedom House”, i cili u interpretua si një raport negativ, pasi fliste për një Shqipëri që ka bërë vendnumëro.

Pas një jave erdhi Mogerini në Tiranë dhe na dha lajmin e gëzueshëm se jo, kemi bërë “përparime të dukshme”, që justifikojnë rekomandimin për hapjen e negociatave me KE.

Por le t’i krahasojmë këto dy raporte kontradiktore që na vijnë së jashtmi me “raportet”, që bëjnë përditë së brendshmi shqiptarët që jetojnë në Shqipëri.

Personalisht, pasi e lexova raportin e “Freedom House”, arrita në përfundimin se ai nuk përputhej në shumë pika me realitetin që jetojmë, pasi nuk interpretonte drejt disa nga zhvillimet kryesore në Shqipëri, duke e sfumuar mjaft dramacitetin e tyre.

Le të marr disa nga pohimet kryesore të raportit, që u lakuan nëpër media.

I pari ishte ai, sipas të cilit: “përparimi në reduktimin e kanabisit u zhbë nga zbulimi prej organeve të antikrimit italian se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ishte i lidhur me një rrjet trafikantësh droge.”

Kuptimi i këtij pohimi është se Qeveria dhe Kryeministri kanë bërë punë të mira, që kanë sjellë përparim në luftën kundër kanabizimit, por këto u zhbënë (edhe si perceptim) kur u zbulua se ministri i Brendshëm na paskësh dalë i lidhur me krimin e organizuar. Po a është vërtet kështu? E vërteta që e dinë edhe vetë aktorët në fjalë është se ajo që “Freedom House” e quan “përparim”, ishte një aksion propagandistik fasade në stilin e Edi Ramës, (Lazarati) për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, në mënyrë që t’i hapte më lehtë rrugën lazaratizimit të krejt Shqipërisë. Për shqiptarët, është e qartë se Saimir Tahiri nuk u bë ministër i Brendshëm aksidentalisht, por se u zgjodh nga Kryeministri, pikërisht si njeri i përshtatshëm për këto punë, ashtu sikurse edhe shumë njerëz të tjerë të krimit, që Rama i futi në Parlament apo në krye bashkish të vendit. Provat për këtë janë të shumta dhe të pakundërshtueshme. Le të përmend rritjen më pas në përmasa të papara të kultivimit të kanabisit, faktin se SHIK-u shqiptar ka informuar Kryeministrin e Kryeprokurorin për 128 oficere policie të përfshirë në të gjithë vendin ne kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe ai s’ka vepruar; talljet me akuzat për trafik droge kur aeroplanët që e transportonin këtë i shiste për dezinfektues mushkonjash; mbrojtja ndaj Tahirit nga Kryeministri dhe deputetët e tij etj.. Pra, nuk bëhet fjalë për një hap para dhe një hap mbrapa, siç e përshkruan raporti, por për një strategji për të bashkëpunuar me krimin sëbashku me Tahirin, të cilin, mos të harrojmë, e zbuloi Prokuroria italiane jo ajo shqiptare, e cila e mbrojti kur u denoncua nga Zagani, ashtu siç vazhdon ta mbrojë edhe sot.

Të njëjtin arsyetim meritojnë edhe dy pohime të tjera të raportit të “Freedom House”: ai se “lufta kundër korrupsionit mori një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës President, ndërkohë që vetë Edi Rama e ka përshkruar atë më herët si simbol të gjithçkaje që është e kalbur në Shqipëri”, si dhe ai se: “zgjedhja me maxhorancë të thjeshtë e Prokurorit të Përgjithshëm minoi seriozisht besueshmërinë e pavarësisë së Prokurorit të Përgjithshëm” duke dëmtuar kësisoj edhe Reformën në Drejtësi.

Ajo që mungon edhe në këto dy pohime të rëndësishme, është shpjegimi se si ka mundësi që edhe paska pasur luftë kundër korrupsionit, edhe është zgjedhur si president, nga vetë luftëtarët ndaj korrupsionit, politikani më i korruptuar; se si ka mundësi që maxhoranca edhe paska punuar për të bërë një Reformë në Drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur, edhe zgjedh dhunshëm si Prokurore të Përgjithshme, pa përfillur frymën e Kushtetutës, një figurë që po tregon dita- ditës se është një ushtare e bindur e një pale? Përgjigjet ndaj këtyre dy pyetjeve për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, janë shumë të thjeshta: së pari, nuk ka pasur kurrë luftë kundër sistemit të korrupsionit përkundrazi ka pasur avancim të tij, ku njeriu më i korruptuar ka qenë dhe mbetet ai që është në krye të sistemit, Kryeministri; dhe, së dyti, zgjedhja në atë mënyrë e Prokurores së Përgjithshme tregon se qëllimi i vërtetë i Reformës në Drejtësi ka qenë heqja e një farë kontrolli, që ruante opozita ndaj drejtësisë dhe kapja e saj plotësisht nga maxhoranca për të shantazhuar e intimiduar kundërshtarët si dhe për t’u mbrojtur nga akuzat e shumta për korrupsion, që kanë arritur nivele të papara. Ngjarjet e fundit në Kukës dhe qëndrimi i Prokurorisë ndaj tyre ishin vërtetimi më i qartë i këtij qëllimi.

Po ashtu, “Freedom House” flet pozitivisht për zgjedhjet e vitit 2017 duke vënë në dukje mungesën e konfliktualitetit dhe moskontestimin e tyre nga opozita. Por raporti ka harruar të verë në dukje se përpara marrëveshjes Rama- Basha, opozita, që ishte në çadër, pretendonte se në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira sepse zgjedhjet do të bliheshin (sipas modelit që ishte eksperimentuar në zgjedhjet lokale në Dibër), nëpërmjet parave të oligarkisë dhe ato të trafikantëve të drogës të lidhur ngushtë me pushtetin e Ramës. Dhe situata ishte aq konfliktuale saqë për herë të parë në historinë e këtyre 25 vjetëve, opozita nuk donte të hynte fare në zgjedhje. Fakti që Basha u shtrëngua nga ndërkombëtarët, u josh apo ble nga Rama dhe hoqi dorë nga ky plan dhe hyri në zgjedhje dhe nuk i kontestoi ato, nuk vërteton se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë të blera. Po ashtu mungesa e konfliktualitetit nuk është vetëm shenjë e mirë apo ajo mund të jetë edhe rezultat i komprometimit të opozitës, intimidimit të saj nga brenda dhe jashtë si dhe e dobësimit të saj në një regjim ku maxhoranca praktikisht kontrollon gjithçka nëpërmjet lidhjeve së saj me oligarkinë dhe krimin.

Si një provë tjetër se raporti i “Freedom House”, megjithëse kritik, nuk pasqyron dramacitetin e degradimit të vendit, do të evidentoja mospërmendjen askund të dy fenomeneve shumë domethënëse për realitetin shqiptar: ikjen masive jashtë shtetit të shqiptareve vitet e fundit dhe rritjen jashtëzakonisht të madhe të krimit të organizuar shqiptar jo vetëm në Shqipëri (ku nuk matet), por edhe në Europë (ku po matet përditë me shqetësim të madh), pasojë kjo direkt e një procesi degradimi të një ekonomie, që po mbështetet gjithnjë e më shumë te paratë e krimit. Dhe, sigurisht, me një ekonomi kriminale në rritje, nuk mund të flitet për progres dhe as për demokraci.

E megjithatë, ja ku na vjen Mogerini dhe na flet për një përparim të dukshëm, që dukshëm është shpikur në Bruksel. Si ta shpjegojmë këtë shpikje të Brukselit? Një pjesë kanë gjetur përgjigjen më të thjeshtë: se ky raport i rremë është punë e Vlahutinit të korruptuar nga mjeshtri i korruptimit të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, Edi Rama. Të tjerë, se kjo punë bëhet për të fshehur dështimin e burokracisë së Brukselit, e cila kërkon të mbajë dhe justifikojë vetveten nëpërmjet këtij zgjerimi. Një pjesë tjetër, se ky është një vendim gjeostrategjik, sepse përndryshe Ballkani mund të bjerë nën ndikimin rus apo të Erdoganit, çka do të ishte me pasoja për Europën. Junkeri, në mbrojtje të kësaj teze, foli edhe për rreziqet që Ballkani të ribjerë në luftëra si në vitet ‘90. Një argument tjetër është ai se hapja ndaj Ballkanit Perëndimor është një strategji e europianistëve ndaj nacionalizmave në rritje në vendet kryesore europiane që kërcënojnë projektin europian. Por këtyre dy argumenteve të fundit iu kundërvu vetë europianisti Makron, sipas të cilit kjo hapje do ta dobësonte më shumë Europën e bashkuar, e cila, më së pari, ka nevojë të forcohet në kufijtë aktualë, që të mund të hapet më pas. Arsyet se pse Brukseli ka hartuar këtë raport të rremë, mund të jenë të shumta. Arsyeja më pozitive që iu ofrua shqiptarëve të zhgënjyer me këtë raport të rremë është ajo që na ofroi edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, se futja në ombrellën europiane do ta bënte më të mundur luftimin e fenomeneve që rreshtova më sipër. Po a është vërtet kështu? Kjo tezë meriton një debat të thelluar si në Shqipëri, edhe në Europë, duke iu referuar edhe përvojave të deritanishme shqiptare dhe europiane, edhe realiteteve që po jetojmë.
Personalisht, gjykoj se të këqijat e këtij raporti të rremë janë më të mëdha sesa të mirat që mund të sjellë ai nëpërmjet hapjes së negociatave. Argumentet se përse, po i le t’i shtjelloj në shkrimin pasardhës. /panorama.al/