Xhaçka: Shqipëria ka propozuar opsione për baza tokësore amerikane

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Olta Xhaçka ndodhet në Washington, ku dje u takua në Pentagon me Sekretarin amerikantë Mbrojtjes James Mattis. Sekretari Mattis e falenderoi Shqipërinë për angazhimin e saj në NATO si një vend aleat, kontributi i së cilës, siç u shpreh ai, shkon përtej madhësisë së sajshtet”.

Ai vlerësoi kontributin e Shqipërisë me trupa në misione të ndryshme të NATO-s, si dhe rolin e Shqipërisë për të mos lejuar, siç u shpreh “ndikimin e dëmshëm rus në rajon”. Në takim Ministrja Xhaçka bëri thirrje për një prani ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Ajo tha se Shqipëria po paraqet disa ide për të vënë në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA ose në suazën e NATO-s. Zonja Xhaçka u sugjeroi zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes të shikojnë mundësinë që Shqipëria të shërbejë si vend kontakti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, një prani e SHBA ose e NATO-s mund të ishte një demonstrim i qartë se ky rajon nuk është harruar nga aleatët.

Zëri i Amerikës: Zonja ministre! Cilat janë pritshmëritë tuaja nga kërkesa drejtuar sekretarit Mattis, e cila nuk bëhet për herë të parë?

Olta Xhaçka: Në radhë të parë unë dua të theksoj angazhimin operacional të forcave të armatosura gjatë këtyre viteve si vend aleat i NATO-s. falë këtij angazhimi, falë seriozitetit dhe përparimit që forcat e armatosura kanë realizuar gjatë këtyre viteve, ne jemi për NATO-n dhe për SHBA-të një aleat i denjë, një faktor stabiliteti në rajon dhe një garant i sigurisë së përbashkët e kolektive.

Në këtë kuadër, diksutuam me sekretarin Mattis mbi sfidat e shumëfishta që paraqet sot e gjithë situata e sigurisë, jo vetëm në rajon, por edhe në botë, por diskutuam edhe për Ballkanin perëndimor dhe për specifikat e rajonit tonë.

Kërkesa jonë, kërkesa e ministrisë së mbrojtjes në takimin me sekretarin Mattis vjen edhe si rezultat i faktit që NATO sot nuk ka kapacitete të saj në Ballkanin perëndimor. Duke pasur këtë parasysh, duke patur parasysh edhe rolin stabilizues të Shqipërisë në Ballkan, bëmë një kërkesë për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona, qofshin këto baza ushtarake, apo kapacitete ajrore, detare e tokësore si mundësi për të ofruar një garanci për NATO-n dhe për SHBA-të për të përballur sfida që vijnë nga Lindja dhe nga jugu

Zëri i Amerikës: A keni ju ndonjë sinjal se NATO ka interes që të ketë një bazë të tillë kaq të zgjerura në rajon?

Olta Xhaçka: Me sekretarin Mattis këto ishin disa mundësi për të eksploruar zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve me NATO-n dhe me SHBA-të. Sekretari Mattis u shpreh shumë i predispozuar për t’i konsideruar këto kërkesa. Çështëjet e sigurisë dhe të mbrojtjes janë shqetësime të përbashkëta të aleatëve të NATO-s dhe Ballkani perëndimor është një rajon shumë i rëndëishëm për NATO-n dhe për SHBA-të dhe të gjithë bashkë do të gjejmë zgjidhjet më të mira. Unë mendoj që një prani e NATO-s apo e SHBA-ve në një vend, i cili ka treguar gjatë gjithë këtyre viteve me angazhimin dhe kontributin e tij se mund të jetë një aleat shumë i denjë dhe mund të jetë një pikë kontakti apo një gjurmë shumë e mirë për rajoni, do të ishte edhe një mundësi e mirë për të sjellë një standard të ri për forcat e armatosura.

Zëri i Amerikës: Kjo duhet për t’u bërë ballë rreziqeve që vijnë nga Rusia, si thoni ju?

Olta Xhaçka: Pa diskutim, nga Rusia edhe nga jugu, që kanë të bëjnë me influencën ruse, apo që kanë të bëjnë me ekstremizmin fetar, që ne i kemi parë përmes influencës së vet në Ballkanin perëndimor. Nga ana tjetër, një mundësi, një kapacitet i shtuar i NATO-s apo i SHBA-ve në rajon do të sillte një standard tjetër për ata sektorë të ekonomisë, infrastrukturës

Zëri i Amerikës: Kjo është bërë edhe më herët, zonja ministre, dhe duket se nuk ka ndonjë sinjal, por edhe nga sekretari Mattis nuk është se ka një aprovim të kërkesës që ju bëtë.

Olta Xhaçka: Ne nuk po diskutojmë për aprovim, ne po diskutojmë për të eksploruar mundësi të reja, për të thelluar bashkëpunimin me SHBA-të dhe me NATO-n ne funksion të sigurisë dhe të sfidave të përbashkëta. Sfidat që kemi sot janë multidimensionale, janë ndryshe nga ato që kemi patur dje, dhe sot jemi në rrethana të tjera që diktojnë vendime të tjera. Bashkë me aleatët do të gjykojmë se kush është më e mira.

Zëri i Amerikës: Ju folët dje për një rritje të ndikimit rus në Shqipëri. Në bisedën me zotin Mattis përmendët se janë vënë re qëllime dhe interesa edhe nga vende të tjera në rritje, duke përmendur Kinën, Iranin dhe Turqinë. A mund të shpjegoni se çfarë nënkuptoni me këtë?

Olta Xhaçka: Ndoshta këto nuk janë çështje për t’u biseduar dhe eksploruar në një studio televizive, por është e vërtetë ajo që ju thashë pak më parë: influenca ruse në rritje, pra, rreziqet që vijnë nga lindja, por edhe rreziqet që vijnë nga jugu përmes ekstremizmit fetar, apo ërmes aktorëve të tjerë joqeveritarë, të cilët përpiqen të destabilizojnë rajonin në funksion të interesave të tyre. Këto janë çështje të sigurisë, që bashkë me aleatët ne i konsiderojmë; ka për t’u marrë seriozisht, ka për të mos u marrë seriozisht.

Por kërkesa ime ka të bëjë me faktin që një prani e NATO-s ose e SHBA-ve për Ballkanin perëndimor unë besoj që në këtë moment do të ishte shumë e domosdoshme. Janë rrethant që diktojnë vendime dhe nëse rrethanat janë të tilla, që kërcënimet dhe sfidat që vijnë nga lindja dhe nga jugu janë të tilla për të na diktuar këtë vendim unë shpresoj që ata do ta konsideronin me seriozitet.

Zëri i Amerikës: Zonja ministre! Ju patët një takim edhe me përfaqësues të kompanisë Lockhed Martin, e cila është një kompani e njohur sa i takon industrisë ushtarake. Gjatë takimit me zotin Mattis ju u shprehët, po ju citoj, që i keni kërkuar kësaj kompanie që të përfshihet më shumë në sistemin e survejimit dtar. Çfarë nënkuptoni?

Olta Xhaçka: I kam kërkuar kësaj kompanie që të konsiderojë rritjen e kapaciteteve tona dhe ndoshta një investim më të madh në vendin tonë. Bëhet fjalë për gjigandin Lockhed Martin, që është ndoshta kompania më e fuqishme dhe më serioze në gjithë industrinë ushtarake botërore. Lockhed Martin sot është i përfshirë në sitemin e vëzhgimit detar, është ai disajnuesi i këtij sistemi, si dhe kemi nënshkruar një kontratë për sistemin e integruar ajror, për të cilin Lockhed Martin ka disa muaj që punon.

Zëri i Amerikës: Po menaxhimin e sistemit kush e kryen?

Olta Xhaçka: Menaxhimin e kryen Lockhed Martin dhe partneri i saj italian Gem Electronica, i cili mirëmban sistemin e radarëve detarë, ndërsa Lockhed Martin është disajnuesi dhe zhvilluesi i gjithë projektit për sistemin e integruar të vëzhgimit ajror. I kam kërkuar që të bëjmë një vlerësim shumë më të mirë të kapaciteteve të sistemit të vëzhgimit ajër-tokë-det, dhe për t’i integruar ato nënsuazën e gjigandit Lockhed Martin. Gjithashtu kam kërkuar sekretarit Mattis dhe kompanisë Lockhed Martin për të patur një prani të shtuar të investimeve amerikane ushtarake në vendin tonë, e cila është e mirëpritur.

Zëri i Amerikës: Si u përgjigjeni zërave kritikë, që kanë folur për fikjen e qëllimshme të radarëve?

Olta Xhaçka: Tërësisht të pavërteta. Radarët nuk fiken. Kjo është e pamundur. Nuk ekziston.

Zëri i Amerikës: Zonja ministre! A ka një mungesë transparence të qeverisjes së Partisë Socialiste, duke përmendur rastin më të fundit, atë të vendosjes së tarifës në rrugën e Kombit, e cila u nxiti dhe atë që opozita e ka quajtur si mosbindje civile. Qeveria e vendosi tarifën, më pas u tërhoq dhe pranoi që nuk ëhstë konsultuar për këtë temë. Si e konsideroni ju këtë?

Olta Xhaçka: Nuk është mungesë transparence. Në fakt ky ka qenë një vendim i dhjetorit 2016. Shpallja e ofertës, gara, konkurrimi, pastaj negociimi i kontratës ka ndodhur në dhjetor 2016. Vlen të thuhet që në 2011 qeveria Berisha pati parashikuar një tarifë edhe më të shtrenjtë mbi 8 euro për përdoruesit e rrugës. Mund të ketë patur probleme të transparencës, ose më mirë të them, të një diskutimi më të mirë me banorët e zonës. Për këtë kryeministri Rama, ministri i transporteve dhe ai i ekonomisë kanë thënë se mund të kishin bërë një punë më të mirë me komunikimin e gjithë detajeve të kontratës. Por ajo është një rrugë shumë e shtrenjtë, për të cilën ende nuk ka përfunduar investimi. Duhet të ishte rruga Durrës – Kukës, por nuk është e tillë. Ajo është një rrugë që kërkon shumë investim jo vetëm për ta mirëmbajtur, por edhe për të përfunduar. Tarifa jonë është më e lirë se e fqinjëve tanë në rajon: Greqia e ka tarifën 0.07 euro për kilometër, Maqedonia e ka 0.06 euro për kilometër, ndërsa Shqipëria është 0.04 euro për kilometër, bashkë me të gjitha masat që kontrata parashikon për banorët që do të jenë përdorues të shpeshtë dhe pa mundësi financiare.

Zëri i Amerikës: Por qeveria u tërhoq dhe tha se do të bëjë një studim për qytetarë e asaj zone…

Olta Xhaçka: Kjo qeveri e ka përparësi interesin e qytetarëve. Për ne është e rëndësishme që të ketë një diskutim publik dhe një konsultim publik për ato që po bëjmë, që gjithë banorët dhe taksapaguesit të kuptojnë rëndësinë e mirëmbajtjes dhe investimit për këto vepra madhore. Këtë qeveria e ka bërë edhe në këtë situatë, e cila ka qenë thellësisht e motivuar nga politika.

Zëri i Amerikës: Por nga ana tjetër, konsultimi mund të ishte bërë përpara, apo jo?

Olta Xhaçka: Kjo është një kontratë e mbyllur qysh në dhjetor 2016, dhe mund të shihet lehtë me një kërkim në internet. Nëse gjatë kësaj kohe nuk është bërë mjaftueshëm për të patur një konsultim publik dhe një informim publik, për këtë kërkojmë ndjesë. Por për çdo gjë tjetër kemi interesin e banorëve, e taksapaguesve parësor dhe të rëndësishëm për mënyrën se si qeverisim.