Sherr me ish-të dashurin shqiptar, polakja e sulmon me kaçavidë, përfundon në gjykatë

Një 39-vjeçare është paraqitur para Gjykatës themelore në Günzburg, për shkaktim të lëndimeve të rrezikshme trupore. Tani, ajo do të duhet të paguajë gjobë.

Duket se ndarja me shqiptarin nga Kosova nuk ka shkuar mirë për një polake në Zvicër. Gjatë një zënke me ish-të dashurin kosovar në Burgau, ajo ia kishte shkaktuar një plagë me kaçavidë. Por, ky nuk ka qenë i vetmi krim i polakes e cila është dashur të përgjigjet para Gjykatës së Günzburgut.

Edhe në prill të vitit 2016, në lokalin e ish-të dashurit të saj në Burgau kishte ndodhur një rast të cilin Prokuroria e vlerësoi si plaçkitje.

Ajo e theu aparatin e lojërave të fatit me një karrige dhe i mori 1300 euro para të gatshme. Dëmi i përgjithshëm ka arritur në më tepër se 2800 euro.
Hetimet policore kishin filluar nga momenti që ish-i dashuri i saj 57-vjeçar, e kishte denoncuar pasi me kaçavidë i kishte shkaktuar një plagë pesë milimetërshe në krah.

Pas ndarjes së tyre, kosovari ishte zemëruar duke i thyer mobilet në banesë dhe dukë i shkaktuar dëme të tjera materiale, shkruan “Augsburger Allgemeine”, përcjell Albinfo.ch.

Në momentin që gruaja deshi ta pengojë, gjatë zënkës ajo e lëndoi me kaçavidë. Ndërkohë, në Gjykatën rajonale të Memmingenit është në zhvillim e sipër një proces gjyqësor, me të cilin e pandehura i kërkon ish-të dashurit tetë mijë euro dëmshpërblim për dëmtimin e sendeve në banesë.

Pasi 39-vjeçarja paraprakisht nuk kishte qenë e dënuar ndonjëherë, gjykatësja e dënoi me gjobë prej 200 euro, të cilat do të shkojnë në llogari të ndihmave me artikuj ushqimorë në Günzburg.