Deputeti i LSI: Sulmet ndaj opozitës nuk i bëjnë nder Ramës

Deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj shprehet se akuzat e Edi Ramës ndaj opozitës për integrimin janë të pabaza. Në një reagim në Facebook, Rrokaj shprehet se opozita ka dhënë konsensusin e nevojshëm për të gjitha ligjet janë kanë të bëjnë me procesin e integrimit.

Ai thotë se nëse sot ka kritika ndaj Shqipërisë nga Brukseli, ato kanë të bëjnë më qeverinë dhe jo me opozitën.

Deklarata e plotë e Shezai Rrokajt:

“Edhe pse u përpoq në dukje ta trajtonte Rekomandimin për çeljen e negociatave si arritje të shqiptarëve dhe të gjithë klasës politike në vend, kryeministri nuk ngurroi sërish të ‘shkelmonte’ opozitën se paskësh bërë të pamundurën për ta penguar marrjen e Rekomandimit.

Në mënyrë paradoksale, kjo gjë u vu në dukje me qëllim që të gjitha meritat t’i shkonin PS-së dhe atij vetë.

Në fakt opozita nuk ka rreshtur së kërkuari marrjen pa kushte të Rekomandimit, sepse ajo është e bindur se ai u shërben në radhë të parë qytetarëve shqiptarë, por edhe si një mënyrë për ta vënë në fre keqqeverisjen e kësaj mazhorance.

Por atë që nuk u tha shqiptarëve zoti kryeministër është se, ndërsa opozita sot dha gjithë konsensusin e duhur për Rekomandimin, opozita e kryeministrit dje, pas liberalizimit të vizave në vitin 2010, kur qeveriste PD-LSI, as nuk erdhi të votonte tre ligjet në Kuvend në vitet 2012-2013, që ishin kusht për dhënien e Rekomandimit.

Faktet flasin vetë se kush e ka dashur dhe ka punuar parreshtur për integrimin”.