Beogradit, nuk i trajton shqiptarët e Preshevës, si qytetarë të barabartë

Nga Sevdail Hyseni

(Preshevë, Serbi)

Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar, të udhëhequr nga kryetari i këtij institucioni të lartë politik, Shukri Ymeri, pas përfundimit të tryezës së organizuar, në Beograd,  për draft-ligjet e këshillave kombëtare të pakicave në Serbi, nxorën një kumtesë për opinion, me të cilën bëhet e ditur se shteti ku ata jetojnë nuk i njeh si qytetarë të barabartë me shumicën serbe.

Këshilli Kombëtar Shqiptar, ka qenë që në fillim shumë aktiv me propozime, vërejtje dhe sugjerime brenda Grupit Koordinues të këshillave kombëtare të pakicave nacionale si dhe në diskutimet publike të organizuara nga Ministria Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale dhe OSBE-ja.

Brenda Grupit Koordinues, të këshillave kombëtare të pakicave nacionale bashkërisht jemi akorduar sa i përket amendamentit dhe përmirësimit të disa neneve në veçanti që kanë të bëjnë me: Depolitizimin, Pronën, Kulturën, Arsimit, Financimit, Sanksionet e ashpra ndaj këshillave, statusin e anëtarëve të këshillave, si dhe ka pasur diskutime të ashpra rreth statusit juridik të këshillave, thuhet mes tjerash në Kumtesën e KKSH..

Gjithashtu, në kuadër të kësaj Kumtesë, bëhet e ditur se Këshilli Kombëtar Shqiptar, para përfaqësuesve të Këshillit Evropës, Bashkimit Evropian, OSBE dhe përfaqësuesve të Qeverisë, ka theksuar se përgjigja ndaj sfidave të këtij institucioni janë vlera evropiane. Se propozimi i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për këshillat kombëtare të pakicave nacionale, nuk pasqyron dhe shpreh nevojën e Këshillit Kombëtar Shqiptar për formën e organizimit administrativo – territorial me funksion në sferat e gjyqësisë, policisë, arsimit, përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, planifikimit lokal, planifikimit hapësinor, ambientit ekologjik, resurset natyrore, sferën e banimit, shërbimet sociale etj.

Për më tepër, sipas kësaj Kumtese, ky Projektligj është drejtpërdrejt në kundërshtim me nenin 20 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë e cila në mënyrë eksplicite thotë “Niveli i arritur i të drejtave të njeriut dhe të pakicave nuk mund të zvogëlohet.” Me këtë Projektligj nga “kompetencat” e parapërcaktuara me ligjin ekzistues, si propozim i Ministrisë është “autorizime publike” me ç’rast Këshilli Kombëtar Shqiptar diskualifikohet nga atributi juridik i institucionit (organit) dhe imponohen prerogative të organizatës.

Këshilli Kombëtar Shqiptar, nuk është i gatshëm të besoj se si disa ligje të tjera, do të kenë mundësinë  për të plotësuar nevojat për mbrojtjen dhe promovimin e bashkësisë etnike shqiptare. Sepse ka tashmë 3 vjet që Qeveria e Republikës së Serbisë miratoi konkluzionin për rezultatet e Komisionit Ndërkombëtar për vlerësimin e popullsisë për Komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të evidentohen si rezultatet e regjistrimit të popullsisë nga vitit 2011 dhe çdo institucion është i detyruar të i referohet vlerësimit si numri real të shqiptarëve në Serbi. Ndërkaq, edhe institucionet i këtij shteti konsiderojnë 5.809 shqiptarë, çka bie në kundërshtim me neni 14 paragrafi 2 të Kushtetutën e Republikës së Serbisë, që thotë se “Shteti garanton mbrojtje të veçantë për pakicat kombëtare, me qëllim të ushtrimit të barazisë së plotë dhe ruajtjen e identitetit të tyre “.

Me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për këshillat kombëtare të pakicave nacionale Republika e Serbisë, nuk u beson qytetarëve e saj nga pakicat nacionale dhe në veçanti pakicës shqiptare si një çështje kyçe dhe u referohet si qytetarët “tjerë”. Qeveria nuk ka vullnet politik, që qytetarët shqiptarë t’i njohë si qytetarë të barabartë me popullsinë shumicë, thuhet në Kumtesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës.