Shqipëria pret sot dritën jeshile për hapjen e negociatave me BE, rruga që nisi në 1992

Shqipëria pritet të hedhë një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Sipas progres raportit, që do të publikohet sot, por është zbardhur tashmë nga mediat e huaja dhe ato vendase, Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por jo për Turqinë. Për Shqipërinë, hapja e negociatave kushtëzohet me ecurinë e e mëtejshme të reformës në drejtësi, sidomos procesit të vettingut.

Sipas raportit, “Duke marrë parasysh progresin e bërë, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë për të ruajtur dhe thelluar ritmin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, sidomos rreth pesë prioriteteve kyçe dhe rezultateve konkrete gjatë vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm”.

Komisioni ka vlerësuar luftën ndaj kultivimit të drogës në vitin 2017, progres në luftën ndaj korrupsionit, teksa ka pasur një rritje të ndëshkimeve të zyrtarëve të ulët e të mesëm, reforma në administratën publike ka qenë pozitive, ndërsa është kritikuar rritja e polarizimit politik.

Ç’ndodh më pas?
Katër vjet më parë Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në BE dhe gjatë kësaj periudhe punoi për plotësimin e kushteve për të kaluar në fazën tjetër, atë të hapjes së negociatave.
Pas hapjes së negociatave, do të hapen kapitujt e veçantë, ku më të vështirët janë ai 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, çështjet e brendshme dhe të drejtat e njeriut. Këto aspekte do të shoqërojnë të gjithë negociatat, duke qenë se janë pika të dobëta për gjithë Ballkanin. Kjo është arsyeja se përse është vendosur për një qasje të re ku kapitujt e parë që hapen janë ata më problematikë. Më pas do të vazhdohet me kapitujt e tjerë, ku do të vendosen plane të detajuara. Më pas procesi vijon me mbylljen e kapitujve, pra që do të thotë se të gjitha kërkesat janë përmbushur dhe zbatohet. Më pas vjen anëtarësimi. Kroacisë iu deshën rreth 8 vjet, por për ne kjo rrugë mund të jetë edhe më e gjatë.

Disa data të rëndësishme të “udhëtimit” të Shqipërisë drejt familjes europiane

1992 – Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Shqipëria përfiton financime nën programin “Pare” të BE-së.
1997 – Qasja rajonale. Këshilli i Ministrave i BE-së vendos kushtëzimin politik dhe ekonomik për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
1999 – Shqipëria përfiton nga Preferenca Tregtare Autonome me BE-në.
1999 – BE-ja propozon një proces të ri të Stabilizim-Asociimit (SAP) për pesë vende të Europës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë.
Qershor 2000 – Këshilli Europian në Feira thotë që të gjitha vendet e SAP janë “kandidate potenciale” për anëtarësim në BE.
Nëntor 2000 – Takimi i Zagrebit lançoi Marrëveshjen e Stabilizim –Asocimit (SAP) për pesë vende të Europës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë.
2000 – Zgjerimi i hyrjes pa doganë në tregun e BE-së për prodhimet “made in Albania”.
2001 – Komisioni rekomandon ndërmarrjen e negociatave për MSA me Shqipërinë. Këshilli Europian i Goteborgut fton Komisionin të paraqesë draftin e direktivave për negocimin e SAA.
2001 – Viti i parë i programit “Ndihmë Komunitare për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim” (CARDS) i projektuar posaçërisht për vendet në proces stabilizim-asocimi.
Tetor 2002 – U miratuan direktivat e negocimit të SAA-së.
Janar 2003 – Presidenti i Komisionit Romano Prodi hapi zyrtarisht negociatat për SAA-në midis BE-së dhe Shqipërisë.
Qershor 2003 – Procesi i Stabilizimit dhe Asocimit (SAP) u konfirmua në Këshillin Europian të Selanikut si politikë e BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Qershor 2004 – Këshilli vendosi mbi partneritetin e parë europian për Shqipërinë.
Janar 2006 – Këshilli rishikoi partneritetin europian me Shqipërinë.
Maj 2006 – Hyrja në fuqi e marrëveshjes së ripranimit KE-Shqipëri.
Qershor 2006 – Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SAA) në Çështjet e Përgjithshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë me Këshillin në Luksemburg.
Dhjetor 2006 – Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Përkohshme.
Janar 2007 – Hyn në fuqi instrumenti i ri për paraanëtarësimin (IPA).
Maj 2007 – Adoptimi i Dokumentit të Planifikimit Shumëvjeçar Indikativ
Shtator 2007 – Nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e vizave midis Shqipërisë dhe BE-së.
18 tetor 2007 – Shqipëria nënshkruan Marrëveshjen Kuadër për IPA-n
Janar 2008 – Marrëveshja e lehtësimit të vizave hyn në fuqi.
22 janar 2008 – Shqipëria dhe KE-ja nënshkruajnë Marrëveshjen Financiare për Instrumentin për Paraanëtarësimin (IPA programi).
Mars 2008 – Nis dialogu për liberalizimin e vizave.
Qershor 2008 – Komisioni Europian paraqet udhërrëfyesin identifikuese me kërkesat specifike për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
1 prill 2009 – Hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (MSA).
28 prill 2009 – Shqipëria dorëzon aplikimin e saj për anëtarësim në BE.
15 prill 2010 – Shqipëria dorëzon përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit.
27 maj 2010 – Komisioni Europian miratoi një propozim mundësues për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës për të udhëtuar në vendet e Shengenit pa pasur nevojë për një vizë afatshkurtër.
24 qershor 2014-Këshillit i ministrave i BE-së mori vendimin për dhënien Shqipërisë statusin e vendit kandidat/Monitor