Kaka: U lumturova kur ika nga Reali dhe Mourinho

Kaka’ ishte njëri prej “galaktikëve” që solli Florentino Perez te Real Madrid. Braziliani, fitues i Topit të Artë me Milanin, nuk dha atë që pritej me fanelën e bardhë dhe nën drejtimin e Jose Mourinho shumë ndeshje i pa nga stoli.

Në deklarata për UOL, ish-futbollisti u shpreh se u gëzua shumë kur u largua nga madrilenët dhe që nuk ishte më nën urdhrat e portugezit.

”Te Reali u shkatërrova pasi nuk dhashë dot atë që kisha treguar te Milani. Isha krejtësisht i humbur. Në Itali më donin të gjithë, ndërsa në Spanjë donin që të ikja sa më parë. José Mourinho ishte një trajner i vështirë për mua. Kishim respekt për njëri-tjetrin, por gjërat ishin të ndërlikuara mes nesh. Kur mendoja se do të më jepte një mundësi, nuk ndodhte kurrë. Nuk i tregova dot se gëzoja formë të mirë. U stërvita shumë, luftova shumë dhe u luta shumë, por kur nuk e fitova besimin e trajnerit, kuptova që nuk mund të punoja më me të. Isha shumë i lumtur kur u ktheva prapë te Milani”, deklaroi Kaka’.