Ish-ministrja e Integrimit: Përgatituni! Ja pyetjet që do ju bëjnë në qershor për negociatat

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha që vjen nga radhët e LSI-së teksa u ndal rekomandimi që dha sot KE për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE, tregoi se çfarë do të ndodh në muajin qershor.

E ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ në ‘News24’ Gjosha tha se në qershor, ku do të vendoset nëse do të çelen negociatat apo jo, qeveria shqiptare i duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve. Ajo u ndal tek disa nga pikat, duke risjellë në vëmendje eksperiencën e saj si ministre gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama.

“Raporti ka një problematikë të jashtëzakonshme. Kjo i bën skeptikë ndërkombëtarët. Siç është administrata. Po të lexoni në atë raport, që shumë institucione jo vetëm kanë ngelur pezull, janë edhe jofunksionale. Do ndalemi në rastin e korrupsionit. Nuk ka asnjë rast që ka përfunduar gjykimi, për rastet madhore, dhe të përfundojë në burg. Kjo është një çështje madhore, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sa grupe kriminale kemi sot të çmontuara lind pyetja? Cili është rezultati që do t’i paraqisni komisionit në qershor? Sa asete të këtyre grupeve kriminale keni konfiskuar? Këto janë pyetjet, pasi jam përballur vet me këto. Nëse jepen këto rezultate, unë them që Shqipëria do e gëzojë hapjen e negociatave dhe them; hajde ta mbyllim këtë punë. Ndalim tek të drejtat e njeriut. Cilat janë rezultatet e reformës në drejtësi? Nëse rezultatet janë dorëheqjet e disa gjykatësve dhe prokurorëve, këto nuk janë”, tha Gjosha.

Gjosha tha se duhet të jemi të kujdesshëm e të mos gëzojmë për një rekomandim pa kushte, pasi kushti është gjithmonë brenda nga KE.

“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të presim qershorin për një vendim që është në unanimitet i të gjithë vendeve anëtare. Është thënë sot që kemi një rekomandim pa kushte, kush është ekspert do të dijë të lexojë. Po të shohim rekomandimin do shohim që thuhet se Shqipërisë i duhet çelja e negociatave. Pse duhet të jemi të qartë dhe të kujdesshëm? Sepse nëse gëzojmë sot se morëm një rekomandim pa kushte, atëherë ne po rrimë, nuk po bëjmë më asnjë punë. Kushti është gjithmonë brenda nga KE, kushtet i kanë gjithmonë vendet anëtare. Ta dini që gjithmonë është një kusht”, theksoi deputetja e LSI.