Iliro-shqiptarët në mitologji

Nga Tonin Çobani

Është fjala për Mitin e Kadmit, që “ilirët i ka vënë në mitologjinë e grekëve të lashtë”, duke i radhitur përkrah kombeve më të hershëm të Europës”. Ky përcaktim që bashkon mitologjinë me të sotmen është një thënie e akademikut të shquar shqiptaro-kroat, Aleksandër Stipçeviq. Mua më erdhi si qortim: përse një pjesë e shqiptarëve nuk e dinë këtë fakt as në ditën kur i gëzohen procesit të hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE? Prandaj mendova t’ua kujtoj shqiptarëve të mi dhe, veçanërisht, atyre që bëjnë programe shkollore (të të gjitha niveleve) dhe të tjerëve që hartojnë guida turistike për ata që vizitojnë Shqipërinë e shekullit të 21-të.

Kushdo duhet ta dijë se trojet e shqiptarëve (ose, më saktë, të iliro-shqiptarëve) janë të njohura qysh në kohet mitike dhe kanë mitin e tyre të krijimit paralel me mitin e themelimit të Athinës (Athinaja), Romës (Romi dhe Romuli), Wells-it (Dragoi i kuq)… për Ilirinë është Iliri, biri i Kadmit dhe Harmonisë.

Miti i krijimit të Ilirisë na thotë se atë vend e themeloi Kadmi dhe Harmonia. Ata të dy, pasi kishin themeluar Tebën (Beoti), u vendosen më në veri të kontinentit, ku lindën fëmijën e tyre të pleqërisë, Ilirin. Ky i dha emrin Ilirisë dhe fëmijët e tij (dymbëdhjetë djem e dymbëdhjetë vajza) u dhanë emrat fiseve të para të ilirëve.

Kadmi (Cadmus) është vëllai i Europës, të cilën e kishte rrëmbyer Zeusi dhe e mbronte, sepse ishte bërë nëna e fëmijëve të tij. Ndërsa Harmonia kishte lindur nga dashuria e fshehtë e Aresit (Hyjnia e Luftës) me Afërditën (Hyjnia e Dashurisë).

Martesa e Kadmit me Harmoninë ka qenë celebruar prej vetë Zeusit në një dasmë madhështore, ku morën pjesë me dhurata gjithfarëshe të tërë hyjnitë e plotfuqishëm. Pasi themeluan dhe lulëzuan Ilirinë, hyjnitë i dhuruan çiftit pavdekësinë: Kadmi dhe Harmonia shndërruar në dragonj.

Qysh nga ajo kohë e deri sot besohet se iliro-shqiptarët e vërtetë janë dragonj (Aleksandri i Madh, Skënderbeu i Pathyeshëm, Lekë Dukagjini i Urtë…). Edhe pjesa më e madhe e heronjve të epopesë kombëtare të shqiptarëve të kohëve moderne, që këndon Gjergj Fishta në “Lahutën e Malcis”, janë dragonj (ose me prejardhje dragoniane) si të parët e tyre pellazgo-ilirë.