PD 5 pyetje në lidhje me bandat e Elbasanit

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa, duke folur në Forumin Qytetar për Sigurinë Publike në Elbasan, tha se vetëm në këtë qark janë identifikuar 2-3 grupe kriminale, që siç tha vetë ministri ”policia do ua nxijë jetën”.

Menjëherë ka reaguar PD-ja. Nënkryetari i PD-së në kuvend, Edi Paloka i drejton pesë pyetje dhe përmend disa emra të njohur, lidhet e të cilëve siç thotë, me trafikantët e drogës duhet të hetohet. Sipas demokratit, ministri duhet ta nisë hetimin nga vëllai i tij.

”Sot, Fatmir Xhafaj duhet të japë përgjigje:  A e ka skeduar të vëllain Agron Xhafaj, të dënuar në Itali per trafik ndërkombëtar kokaine dhe aktualisht është një nga kokat e trafikut të drogës në Vlorë? A e ka skeduar grupin e Arbër Çekaj, të drogës kolumbiane, ku bën pjesë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit? A e ka regjistruar grupin e Qazim Sejdinit dhe dhëndrit të tij në Elbasan, ku përfshihet edhe kompania e gruas së Sejdinit, që është nën hetim për trafik droge? A e ka regjistruar grupin e Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit? Nëse vërtet do që të luftojë krimin e organizuar dhe lidhjet me qeverinë e Ramës, përgjigjet për këto pyetje Fatmir Xhafaj duhet t’i bëjë publike dhe t’i kërkojë ndihmë çdo qytetari që ta ndihmojë”,-u shpreh Paloka.