Hapen negociatat, raporti i BE: Përparim në 5 prioritetet kyçe

Dritë jeshile, Shqipëria dhe Maqedonia mund të nisin negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa abuzimet me të drejtat e njeriut do ta lënë sërish në pritje Turqinë.

Kjo do të lexohet në draftin e raportit të zgjerimit që pritet të publikohet të martën, në 17 prill, e aty sqarohet se në vazhdën e progresit të arritur, KE-ja do të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ruajtja dhe thellimi i këtij momenti reformash në fushën kyç të sundimit të ligjit, e veçanërisht 5 prioriteteve kryesore, dhe rezultatet e vazhdueshme, konkrete e të prekshme në rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, pra procesi i vetingut, do të jenë vendimtare për progresin e mëtejshëm të vendit.

Në mbështetje te kesaj, vazhdon dokumenti, Komisioni Europian do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave mbi gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit.

Në vlerësimet e tij Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.